Ndiqni pamjet LIVE, mijëra studentë rrethojnë Kuvendin
Avdijaj ve kushte: Vij vetëm për Kombëtaren A (VIDEO)
Pëlqej
Dionis Avdijaj nuk do të luajë në Shqipëri veçse me Kombëtaren e parë, atë që drejton aktualisht Gianni De Biasi. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta në Federatën Shqiptare të Futbollit, sipas të cilave, talenti i Schalke 04 ka refuzuar që të grumbullohet me kombëtaret e moshave të Shqipërisë (U-19, U-21).

Trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Skënder Gega, ka kontaktuar me babanë e lojtarit, me të cilin ka folur disa herë për angazhimin e mundshëm të tij me Shqipërinë. Por, ky i fundit ka theksuar se djali i tij për momentin ishte i fokusuar te Shalke, por nëse do të merrte në konsideratë një grumbullim me Kombëtaren shqiptare, atëherë ai do të vinte vetëm për skuadrën e parë dhe jo për ekipet e moshave, shkruan "Panorama Sport".


Në njëfarë mënyre, babai i Avdijajt ka treguar se të njëjtën gjë kishte bërë vite më parë edhe Lorik Cana, kapiteni aktual i Shqipërisë. Në fakt, Cana u grumbullua për herë të parë me kuqezinjtë në 2003-shin, kur ishte vetëm 19 vjeç. Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara në rrugë zyrtare, babai i tij, Agimi, nuk pranoi që Loriku të luante për Shpresat, por vetëm për Kombëtaren A. Kujtojmë se në atë kohë Cana ishte pjesë e skuadrës së parë dhe luante në formacion te Paris Saint Germain.

Të njëjtën gjë kërkon edhe Dionis Avdijaj, i cili prej gati dy vitesh stërvitet me skuadrën e parë të Shalkes, por nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje në elitën e futbollit gjerman.

Talenti i Schalke 04 është rritur në akademinë e Osnabruckut, qytet në të cilin ka lindur. Ai shihet si një lojtar me të ardhme dhe jo më kot është grumbulluar edhe nga trajneri i Kombëtares së Gjermanisë U-17. Fillimisht ai ka luajtur me Kombëtaren U-16 të këtij vendi, duke shënuar 2 gola në po aq ndeshje të luajtura. Më pas, ai u bë pjesë e përfaqësueses U-17 në edicionin e fundit, duke shënuar 10 gola në 13 ndeshje që ka zhvilluar kjo kombëtare.

Sipas mediave gjermane, lojtari mund të bëhet menjëherë pjesë e Kombëtares U-19 të Gjermanisë, duke djegur etapat për shkak të përmirësimit të tij të ndjeshëm. /albeu.com/



Shtuar më 05/08/2014, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori