Balaj: Si një ëndërr, askush s'e mendonte
Pëlqej
Shënon golin e parë me fanellën kuqezi në ndeshjen e tij të parë si titullar. Sulmuesi Bekim Balaj ishte heroi i mbrëmjes së djeshme në Aveiro, aty ku Shqipëria tronditi Portugalinë. Talenti shkodran është treguar i sinqertë pas ndeshjes, teksa ndër të tjera ka thënë se askush nuk e mendonte këtë fitore të madhe të Shqipërisë.

Balaj u dha pikërisht kuqezinjve një triumf historik ndaj një skuadre që deri dy ditë më parë kujtonim vetëm një barazim.

"Nuk e mendonte asnjë që ne mund të fitonim në Portugali, por ia që treguam forcën tonë që në fillim. Bëmë një ndeshje të mirë dhe sigurisht është një gëzim i madh për mua që arrita të shënoj dhe skuadrën në veçanti. Mendoj që në këtë ndeshje vlen më shumë trepikëshi, për më tepër ndaj një skuadre me emër si Portugalia. Kjo fitore u dedikohet gjithë shqiptarëve. Është një start i mbarë për ekipin dhe shpresoj që të jetë ogur i mirë për vazhdimësinë. Të qëndrojmë me këmbë në tokë, në mënyrë që të arrijmë fitore të tjera, pasi vetëm kështu mund të realizojmë ëndrrën tonë, të kualifikohemi në Europian", është shprehur Balaj për "TVSH".

GOLI - I pyetur për golin dhe ndonjë dedikim të veçantë, sulmuesi deklaroi: "Së pari jam shumë i lumtur që arrita të shënoj. Kam luftuar shumë për të qenë këtu. Besoj se e kam shpërblyer besimin e trajnerit, i cili këtë herë më aktivizoi që nga minuta e parë. Për sa i përket golit që shënova, mendoj se ishte një goditje e menjëhershme dhe refleks i imi në atë pozicion. Këtë gol ia dedikoj babait tim, familjes dhe të gjithë tifozëve".

PEPE - Balaj është ngacmuar jo pak gjatë lojës me Pepen, mbrojtësin lider të Portugalisë dhe Real Madrid. Sulmuesi fitoi duelin me shtatlartin, ndërsa sapo shënoi, i kërkoi që të ndërronin fanellat pas ndeshjes. Ky moment u kap edhe nga kamerat. Për duelin me portugezin, Balaj tregoi: "Pepe bënte gjatë të gjithë kohës provokime të ndryshme, duke ndërruar krahun apo gjëra të tilla. Gjithsesi, në fund më përgëzoi për golin". /albeu.com/

Shtuar më 09/09/2014, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori