Basha-Catania, shqiptari do rrogë më të lartë
Pëlqej
Nuk është zyrtarizuar ende kalimi i Migjen Bashës nga Torino te Catania. Ndonëse parimisht të gjitha palët janë dakorduar në lidhje me vijimin e bisedimeve, mësohet se kanë mbetur disa detaje të rëndësishme mes lojtarit dhe klubit sicilian. Sipas mediave, Catania i ka ofruar mesfushorit shqiptar një kontratë trevjeçare nga ku ai do të përfitojë 200 mijë euro neto në sezon (pra në total 600 mijë euro), pa harruar këtu edhe bonuse të ndryshme, nëse skuadra do të ngjitet që këtë edicion sërish në Serie A.

Por Basha është stepur disi, duke qenë se te Torino përfiton 400 mijë euro neto në sezon, pra dyfishin e asaj që i kanë ofruar te Catania. Në këto kushte mesfushori i Kombëtares ka kërkuar një rritje të ofertës në lidhje me rrogën, kjo e kompensuar me bonuset që parashikon që të japë klubi.

Me pak fjalë, lojtari do më shumë rrogë dhe më pak bonuse, ndërsa nga ana tjetër klubi pretendon të kundërtën, duke vendosur për një rrogë te 200 mijë eurosezon dhe bonuse të larta për arritjen e objektivit. Sakaq, sicilianët kanë kërkuar edhe një ulje të pretendimeve të presidentit të Torinos, Urbano Cairo, në lidhje me vlerën e kartonit të shqiptarit. Para pak ditësh u tha se klubi piemontez do përfitonte 1.2 milionë euro, ndërsa dje “gazzettagranada. it” theksonte se kjo shifër ka rënë deri në 750 mijë euro.

Arsyet qëndrojnë në faktin se Basha është në përfundim kontrate (qershor 2015) dhe klubi nuk ka ndërmend që t’ia rinovojë. Së dyti, presidenti Cairo dëshiron të largojë një lojtar, i cili pretendon të luajë si titullar, por në një mesfushë që për këtë sezon është e super-populluar. Një pikë tjetër që është diskutuar së fundmi mes klubeve dhe lojtarit ka qenë dëmtimi i këtij të fundit.

Për të qenë të sigurt se Basha mund ta kalojë dëmtimin në kavilje (u operua vetëm para disa muajsh), Katania ka kërkuar ndërhyrjen e profesor Marianit në spitalin “Villa Stuart”, një “guru” i vërtetë në fushën e dëmtimeve në tilla. /albeu.com/



Shtuar më 10/08/2014, ora 16:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori