Beqaj: Portugalia vuan pa Ronaldon, ja si ndalen luzitanët
Pëlqej
Gjashtë vite më parë Shqipëria ndalte Ronaldon në shtëpinë e tij. Jo në një ndeshje dosido, por në një takim ku kuqezinjtë luajtën për 50 minuta me 1 lojtar më pak, pas daljes së Telit me të kuq. "Ishte një nga ato ndeshje që nuk mund t’i harrosh. Një ndeshje me shumë karakter…", shprehet Arjan Beqaj për "Panorama Sport".

Ish-portieri i Shqipërisë ka qenë protagonist absolut në atë takim dhe pengun e vetëm ka pasimin e munguar të Besart Berishës për Ervin Skelën në fundin e takimit, sepse Shqipëria mund të kishte dalë edhe me tri pikë.

"Tani kanë ndryshuar shumë gjëra dhe mendoj se mungesa e Ronaldos do të ndihet tek ata (portugezët). Nuk po them se jemi ne favoritët, por ama Ronaldo për ta është një pikë referimi", shton Beqaj.

Në prag të sfidës me luzitanët, ai u jep një mesazh të qartë lojtarëve të Kombëtares, në veçanti atyre që janë afruar së fundmi.

I pyetur nëse mund ta ndalim sërish Portugalinë në fushën e saj, ish gardiani i Kombëtares shprehet: "Po, mendoj se po. Duhet të kuptojmë se diferencat janë zvogëluar disi mes skuadrave dhe shohim gjithnjë e më shpesh skuadra të vogla që surprizojnë".


Cili ishte çelësi i suksesit të atij barazimi me një lojtar më pak kundër Portugalisë? "Karakteri i skuadrës. Pas daljes me të kuq të Telit skuadra u mobilizua aq shumë, saqë rrallëherë e kam parë ekipin aq të vendosur dhe aq të bindur në vetvete se mund të merrnin pikë. Aty u shfaq karakteri më i fortë i Kombëtares sonë dhe në mos gaboj arritëm të merrnim rezultatin e parë pozitiv kundër një skuadre të madhe si Portugalia, por në disfavor numerik. Nuk kishte ndodhur më parë".

Përsa i përket mungesës së Cristiano Ronaldos në ndeshjen kundër Shqipërisë Beqaj deklaron: "Shqipëria duhet të luftojë shumë për të dalë me pikë, sepse Portugalia është e rrezikshme edhe pa Ronaldon. Megjithatë, t’i themi gjërat hapur: Ronaldo ka një peshë të madhe te luzitanët. Ai është pikë referimi në atë skuadër, ndaj është edhe lojtari më i paguar në botë, së bashku me Mesin. Është i tillë, sepse mund ta zgjidhë një ndeshje edhe i vetëm. Do të ndihet mungesa e tij, edhe në aspektin psikologjik. Tani portugezët e dinë mirë se duhet të vrapojnë më shumë dhe të luftojnë më shumë për të na mundur".

Çfarë duhet të bëjmë për të marrë sërish pikë? "Duhet qetësi dhe vendosmëri. Duhet qetësi, pasi nuk duhet të na kapë paniku nga sulmet apo nga cilësitë e tyre. Çdo minutë që kalon, është në disavantazhin e tyre dhe jo tonin. Por, e përsëris: duhet shumë karakter", përfundon Arjan Beqaj. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2014, ora 11:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori