Berisha, një ndër tre pritjet më të bukura të javës (VIDEO)
Serie A kurorëzon Etrit Berishën si një nga portierët më të mirë të javës së 30. Gardiani i Kombëtares Shqiptare që dhuroi një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen Lazio-Empoli është përzgjedhur për një nga tre pritjet më të bukura të javës.

Gjatë pjesës së dytë të sfidës së luajtur në "Olimpico", Berisha kreu disa ndërhyrje vendimtare duke ruajtur të paprekur rrjetën e skuadrës kryeqytetase.

Mes pritjeve të kryera, më e vështira ishte ajo e goditjes së dënimit nga ana e sulmuesit Maccarone.

Një pritje që Serie A e ka futur mes tre më të mirave të javës bashkë me atë të Handanoviç në Verona-Inter dhe Mirantes në Parma-Juventus.

Një bonus më shumë ky në favor të portierit shqiptar që pritet të jetë titullar edhe në përballjen e së shtunës në "Juventus Stadium".

Etrit Berisha rezultoi vendimtar edhe në gjysmëfinalen e dytë të Kupës kundër Napolit duke e ndihmuar skuadrën e tij të siguronte biletën e finales. Dëmtimi i titullarit Marcchetti në stërvitje është një asist për gardianin shqiptar, i cili po përjeton një nga momentet më pozitive me fanellën e Lazios. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2015, ora 11:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori