Besnik Hasi zbuloi talentin Januzaj
Talenti i Manchester United Adnan Januzaj ka lindur në Bruksel nga prindër shqiptarë dhe nuk ka vendosur ende për cilën Kombëtare do të luajë: në teori, mund të thërritet nga Shqipëria dhe nga Serbia për origjinën e prindërve (kanë lindur e jetuar në Istog), nga Belgjika për vendlindjen, nga Turqia për kombësinë e gjyshërve të tij dhe nga skuadra e re e Kosovës, që ende nuk është regjistruar në FIFA dhe UEFA dhe s’mund të luajë miqësore. Normat ndërkombëtare përcaktojnë se një futbollist nuk mund të ndërrojë Kombëtare, përveç rastit nëse vendi i tij "shkrihet", ose "krijohet", apo lind nga zero: ndaj, Januzaj duhet të zgjedhë njëherë e përgjithmonë.

Skuadra belge e Anderlehtit e vuri nën kontratë që në moshën 10-vjeç dhe mes atyre që besonin tek potenciali i djaloshit edhe ish futbollisti i Kombëtares, Besnik Hasi, i cili mesa duket vuri re potencialin e tij dhe, madje, ia këshilloi menjëherë Federatës Shqiptare për ta ndjekur. Madje, u bënë hapa konkretë dhe një ftesë që kur ishte 15-vjeç, për të luajtur me U-17 e Shqipërisë, shkruan Sport-Express.

Në vitin 2011, pasi qëndroi 6 vjet në Akademinë e Anderlehtit dhe, madje, luajti me skuadrën e dytë, Mançester Junaijtidi e bleu, duke e vendosur me të rinjtë. Vitin e shkuar u bë pjesë e ekipit të Sir Alex Ferguson, por nuk luajti asnjë minutë.

Debutoi në futbollin profesionit dy muaj më parë, 11 gusht 2013, gjatë ndeshjes kundër Wigan, në Superkupën e Anglisë (Community Shield). Ndërsa shpërthimi ndodhi fundjavën e shkuar kur me dy golat e tij i dha fitoren "Djajve të Kuq" në transfertën e Sunderland duke tërhequr rreth vetes klubet më në zë të Europës dhe duke e shndërruar "kombëtaren" e tij në një "luftë diplomatike" mes disa shteteve. /albeu.com/


Shtuar më 10/10/2013, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori