Biletat në treg të zi, kaos para Shqipëri-Zvicër
Pëlqej
Biletat e Shqipëri-Zvicër, më parë se të dalin në sportelet e posaçme të njohura edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, kanë mbërritur në tregun e zi. Përtej çmimeve, ajo që përbën problem për këtë ndeshje, është kaosi në shitjen e biletave, ashtu sikundër ndodhi në ndeshjen e 7 qershorit me Norvegjinë, ku shumë bileta u shitën në treg të zi me çmime stratosferike.

Ka mjaftuar një investigim fare i thjeshtë i gazetës Panorama-Sport ditën e djeshme për të parë sesi biletat, është vështirë t’i gjesh në sportele, por jo në treg. Vetëm në Tiranë dje janë hedhur për shitje rreth 3 mijë copë, kryesisht për tribunën anësore C dhe E, si dhe për tribunën përkarshi: D1, D2 dhe D3.

Të pyetur në sportele, shitësit pohojnë se kanë shituar diçka më shumë se një mijë bileta, teksa pjesa tjetër, ndonëse nuk pohohet nga këta të fundit, ka dalë lirshëm në treg të zi. Kështu, vetëm dy metra nga sporteli i "Qemal Stafa"-s, dje në orët e pasdites shisnin bileta për ndeshjen tre persona të paautorizuar.

"Do biletë? 25 mijë lekë e ke karshinë… e do? Robo, merr sot se nesër pa 35 mijë lekë nuk ta jep kush", pohon njëri nga shitësit, duke konfirmuar edhe një herë se ajo çka pohon federata në lidhje me organizimin e shitjes së biletave nuk përkon fare me realitetin.

Ndërkohë, çmimet zyrtare të biletave për këtë ndeshje janë njëlloj si në përballjen e fundit me Norvegjinë, teksa një biletë nga më të shtrenjtat kushton 8 mijë lekë (të rinj) dhe më e lira 500 lekë (të rinj).

Biletat e tribunës qendrore, të kategorisë së parë, pra tetë mijë lekëshe, zor se do dalin në treg, pasi ruhen gjithnjë nga federata për personalitete apo edhe miq të tyre. Ndërsa në tribunën qendrore, kategoria e dytë, një biletë kushton 5.000 lekë (të rinj). Përkarshi, tribuna D2 kushton 3.000 lekë, teksa dje në treg të zi mund ta blije për 4000 lekë. Tribuna D1 dhe D3 kushton 2.000 lekë, teksa në treg të zi dje e blije me 2500 lekë. Anësoret, pra tribunat pas portave, kushtojnë nga 500 lekë. /albeu.com/


Shtuar më 09/10/2013, ora 15:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori