Bogdani: Shqipëria do e fitojë ndeshjen në tavolinë
Erion Bogdani është një prej ish-futbollistëve të Kombëtares që ka dhënë shumë për fanellën kuqezi. Sulmuesi numëron shumë ndeshje dhe, për më tepër, i ka dhënë shumë fitore ekipit përfaqësues me golat që ka shënuar.

Në lidhje me ngjarjet e djeshme të dhunshme që ndodhën në Beograd dhe shkaktuan ndërprerjen e ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, ish-sulmuesi kuqezi u shpreh: "Shfaqje e turpshme! Në këto kushte nuk duhet të zhvillohej ndeshja. Shqipëria duhet të fitojë 3-0 në tavolinë. Që në momentin e parë që tifozët shqiptarë nuk lejohen, masat e sigurisë kuptohet që janë shumë të dobëta. Një gjendje e tmerrshme! Tashmë do të presim për të parë vendimin e UEFA-s, por jam shumë i bindur se Shqipëria do ta fitojë këtë sfidë në tavolinë".

Më pas ish-futbollisti, i cili ka pasur një karrierë të pasur në Itali, ku ka luajtur me shumë ekipe, ka përjetuar një ngjarje të tillë të ngjashme në vendin fqinj.

"Vetë kam qenë në një situatë pak a shumë të njëjtë në ndeshjen Siena-Genoa, që ishte luftë për mbijetesë. U ndërpre takimi kur ishte 4-0 për ne për 35 minuta. U futëm në dhomat e zhveshjes, tifozët erdhën të sulmonin, por fatmirësisht jo ne, por lojtarët e Genoas. Ishte diçka e çmendur. Mendoj se ngjarje të tilla të shëmtuara nuk duhet të ndodhin kurrsesi. Futbolli është për t’i afruar njerëzit dhe jo për t’i larguar", përfundon Bogdani. /albeu.com/



Shtuar më 16/10/2014, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori