Bushi: Bashkë me fatin do kishim 15 pikë, por skemi asnjërin
Pëlqej
Trajneri Alban Bushi ka mbetur shumë i zhgënjyer për barazimin me Irlandën e Veriut dhe veçanërisht për mënyrën sesi erdhi ai rezultat. Tekniku i të rinjve kuqezinj vlerësoi lojën e të tijve, duke theksuar se skuadra meritonte patjetër fitoren sot.

“Më vjen vërtetë keq që u ndëshkuam në këtë mënyrë, sepse kemi bërë një lojë mjaft të mirë. Mund të them se me lojën e zhvilluar në këtë edicion, duhet të kishim 15 pikë të plota, sepse i kemi dominuar të gjithë kundërshtarët, por për fat të keq jemi ndëshkuar nga këto gabime të vogla dhe nuk kemi marrë rezultatet e duhura. Jam i bindur që kemi merituar shumë më tepër, por në futboll fati është shumë i rëndësishëm dhe këtë herë nuk ka qenë me ne”, tha ai.

Alban Bushi vuri në dukje edhe faktin se futbollistët e Irlandës së Veriut ishin të gjithë 21-vjeçarë, ndërsa te Shqipëria U-21 aktivizoheshin shumë lojtarë 19-vjeçarë, duke bërë që të vuanin dyluftimet. Gjithsesi, trajneri i kuqezinjve shprehu kënaqësinë që kombëtarja U-21 mund t’i shërbejë skuadrës së parë të Panuccit.

“Nuk duhet të lëmë pa përmendur faktin se kundërshtari kishte në fushë futbollistë 21 vjeçarë, që luajnë në ligat angleze, ndërsa një pjesë e mirë e djemve tanë janë vetëm 19-vjeçarë, por sërish ne arritëm të përballemi si duhet. Gjithsesi, ne jemi një ekip në shërbim të kombëtares së madhe dhe më vjen mirë që Panucci shikon te ne element për skuadrën e tij. Ne aktualisht kemi 4-5 futbollistë që mund të luajnë pa frikë në kombëtaren e madhe dhe kjo u pa qartë edhe sot”, tha Bushi.

Trajneri i Shpresave të Shqipërisë evidentoi faktin që një pjesë e mirë e skuadrës së tij kanë nuk kanë përgatitjen e duhur taktike dhe vendosen shpesh gabim në fushë, çka ka sjellë edhe ndëshkimet.

“Është e vërtetë që disa prej futbollistëve kanë mangësi taktike dhe nuk arrijnë të vendosen si duhet në fushë. Edhe te goli, Doka duhej të ishte vendosur shumë pranë kundërshtarit dhe t’i kishte bllokuar goditjen, por nuk e bëri. Koha që unë punoj me këta futbollistë është e shkurtër dhe nuk mund t’u shpjegoj pozicionet nga fillimi. Duhet që të punohet edhe në klube, për përgatitjen taktike të futbollistëve”, u shpreh Alban Bushi. /Albeu.com/
Shtuar më 11/11/2017, ora 09:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori