Cana: Dy kombe mike, në fushë rivalë
Nëse ka një për të cilin ndeshja Shqipëri-Zvicër do të ketë edhe një shije të veçantë, ky është Lorik Cana. 30-vjecari, pjesë e Lazios në Serie A, i hodhi hapat e tij të parë në futboll te "Cheseaux" dhe "Lausanne Sport", ndërsa prej vitit 2003 mban veshur fanellën e kombëtares shqiptare.

Familja e tij u zhvendos në vitin 1989, para luftës në Kosovë, në kantonin e Vaud-it. Loriku ka jetuar atje nga mosha 6-16 vjecare, para se të vishte fanellat e PSG-së, Marseille, Sunderland, Galatasaray dhe së fundi Lazios, që nga viti 2011.

"Unë e di se nga kam ardhur. Udhëtimi im si njeri dhe lojtar i detyrohet Zvicrës. Lozanën kurrë nuk do ta harroj! Shkoj 2 herë në vit atje", tha Cana nga telefoni.

Pra, Zvicra ju ka shërbyer si një "jastëk" për nisjen "Absolutisht. Zvicra bën një punë të mirë me futbollin. Ka talente të jashtëzakonshme në këtë vend, ku spikasin edhe një brez emigrantësh shqiptarë", ka vijuar kapiteni shqiptar.

Ashtu si Behrami , Xhaka , Shaqiri..."Djemtë që ju përmendët, por edhe Xhemaili kanë pasur mundësi të madhe. Me qenë i sinqertë, do doja që lojtarë si Behrami, Mehmedi, Shaqiri, Xhaka të dilnin edhe në Shqipëri. Ka talente këtu, por fatkeqësisht nuk i kanë mundësitë e duhura për t’u zhvilluar. Është vërtet për të ardhur keq. Unë kam qenë me fat që jam rritur në Zvicër. Shumë shqiptarë kanë zgjedhur të përfaqësojnë Zvicrën. Ata do ta ndihmonin shumë kombëtaren tuaj, nëse do t’i kishit përkrah. Kjo është e palëkundshme. Por, nuk kisha dashur të debatoj për lojtarët që kanë zgjedhur fanellën e Zvicrës. E njoh Xhakën prej shumë kohësh. Është një djalosh shumë i mirë. Behramin dhe Xhemailin i takoj në kampionatin italian. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ata janë lojtar shumë të mire, që kanë arritur nivel të lartë ndërkombëtar", shprehet Cana.

Në fund Lorik Cana lëshon edhe një mesazh shumë interesant: "Asgjë nuk kam për ekipin. Për popullin e Zvicrës po: dua të them se kjo do të jetë një ndeshje mes dy vendeve mike. Gjatë ndeshjes do të ketë rivalitet, por kjo është normale. Zvicra është ekipi më i mirë në grup. Ne jemi kompetitivë dhe dëshirojmë të fitojmë. Mendoj se çdo gjë do të jetë në rregull. E keni parë ndeshjen e parë në Luzernë. Atmosfera ishte shumë e mirë. Tifozët në tribuna ishin të ndryshëm, por miq me njëri-tjetrin. Ne e dimë se kemi nevojë për Zvicrën. Ky vend mik ka lejuar shumë bashkatdhetarë tanë të punojnë aty". (intervistë e Lorik Canës për televizionin zviceran "RTS Sport") /albeu.com/






Shtuar më 10/10/2013, ora 17:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori