Cana: Ishte fitorja më e madhe, por kujdes me euforinë
Pëlqej
"Ishte fitorja më e madhe në pikëpamjen sportive. Ajo kundër Portugalisë ishte realisht më mbresëlënësja". Këto janë fjalët e Lorik Canës pas fitores së madhe në Aveiro, por kapiteni i Kombëtares tregohet i kujdesshëm që opinioni të mos e ekzagjerojë dhe skuadra të mos vihet nën një presion që mund të ndikojë negativisht.

"Mund të luajmë edhe më mirë se ç’luajtëm në Portugali, por duhet ta ngulitim mirë në kokë se jemi në një grup tejet të vështirë dhe krejtësisht të paparashikueshëm. Duhet kujdes me dozat e euforisë", është shprehur futbollisti i Lazios në një intervistë për "Panorama Sport".

I pyetur nëse do të pranonte kualifikimin për në "France 2016" edhe duke luajtur "Katenaço", Cana shprehet se tifozët duan spektakël në fushë, por ne duhet të jemi më racionalë pasi në fund janë pikët ato që kanë rëndësi.

"Ok, kjo temë ha diskutim. Unë i mirëkuptoj njerëzit kur kërkojnë futboll të bukur dhe argëtim, pasi kjo është edhe e logjikshme. Por nëse do të tregohemi racionalë, atëherë duhet të pranojmë se sukses në futbollin e sotëm është të marrësh maksimumin e atij grupi që ke në dispozicion. Mendoj se stafi dhe trajneri në veçanti kanë përzgjedhur lojtarët më të mirë sot që luajnë jashtë dhe brenda vendit dhe po përpiqen që në këto rrethana, pra duke parë cilësitë e kundërshtarëve dhe duke parë edhe mundësitë tona, të marrin maksimumin. Më duket e drejtë. E logjikshme. Pa dyshim që Shqipëria ka potencial të shfaqë një lojë edhe më të mirë se ajo në Portugali, pra më argëtuese, por mendoj se ende nuk jemi gati që edhe të dhurojmë futboll të bukur edhe të fitojmë njëkohësisht. Do të duhet edhe pak kohë", deklaron Lorik Cana. /albeu.com/

Shtuar më 11/09/2014, ora 11:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori