Cana paralajmëron Shqipërinë: Kujdes nga Djordjeviç
Pëlqej
I bashkon një klub por i ndajnë dy Kombëtare. Philip Djordjeviç shënoi një 3 golësh në sfidën Palermo-Lazio që nxorri nga telashet skuadrën ku militon edhe Lorik Cana, por mbrojtësi kuqezi shpreson që bomberi serb të mos gëzojë të njëjtën formë edhe në takimin eliminator Serbi-Shqipëri.

"Në nivel Kombëtaresh do të sfidoj Djordjeviç për ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe kjo gjë më ka vënë disi në siklet, madje kam dashur ta dëmtoj por na duhet për ndeshjen e së dielës", është shprehur Cana.

Një fjali që sigurisht vjen në kuadrin e humorit, por paralajmëron edhe Kombëtaren e De Biasit për formën e mirë që po kalon sulmuesi i Lazios.

Me paraqitjen e tij në "Renzo Barbera", Cana tregoi se trajneri Pioli mund t’i besojë vendin titullar në formacion dhe kapitenit shqiptar. Ai u jep një shuplakë të gjithë kritikëve duke theksuar se ka zbritur në fushë duke dhënë përherë maksimumin.

"Kur trajneri më ka hedhur në fushë jam përpjekur t’i përgjigjem. Të gjithë mund të gabojnë por unë kam luajtur përherë në nivelet e denja për këtë klub. Sa më shumë të luaj përkrah De Vrij aq më shumë do të përmirësohemi", vijoi kapiteni kuqezi.

Lorik Cana duket se ka rigjetur dimensionin e tij të vërtetë. Fillimisht ndeshja me Sassuolon në fundjavë dhe më pas kapiteni kërkon të arrijë në formën optimale për dy sfidat delikate të Euro 2016 kundër Danimarkës dhe Serbisë. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2014, ora 14:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori