Celina refuzon Norvegjinë, Bunjaki: Nuk do luajë për Shqipërinë
Pëlqej
Futbolli norvegjez ka pësuar një goditje të rëndë ditët e fundit për shkak të refuzimit që mori nga talenti kosovar, Bersant Celina. Talenti i Manchester City-t ka vendosur për momentin që të përfaqësojë Kosovën, por kjo nuk u ka pëlqyer aspak norvegjezëve, të cilët kanë filluar të mendojnë rrugë të tjera.

Mediat shkruajnë se Federata Norvegjeze e Futbollit po mendon ta ndryshojë rregullin që lojtarët e grupmoshave të zgjedhin që në vegjëli se cilën kombëtare do të përfaqësojnë në të ardhmen. Kjo pikërisht, si shkak i refuzimit të Celinës, i cili më parë kishte luajtur për të rinjtë e Norvegjisë.

Mirëpo, ideja e norvegjezëve nuk po përkrahet edhe nga shtetet përreth. Suedia është e para që ka kundërshtuar këtë ide të shtetit fqinj, pasi një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim edhe me rregulloren e FIFA-s, e cila saktëson se futbollistët që kanë luajtur deri me U-21 të një vendi, mund të ndërrojnë Kombëtaren.

Lidhur me këtë çështje, Sport Plus ka kontaktuar trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, i cili është kategorikisht kundër idesë së norvegjezëve. Ai ka pohuar gjithashtu se talenti 18-vjeçar nuk do të luajë as për Shqipërinë, edhe pse FSHF-ja e ka kërkuar para pak kohësh.

"Bersanti ka pasaportën e Norvegjisë, por është i lindur në Kosovë dhe babain e ka të Kosovës. Në Norvegji ligji thotë se në rast të një nënshtetësie të tretë, të humbë pasaporta e këtij vendi. Në këtë rast, nëse Bersanti e merr pasaportën e Shqipërisë, e humb atë të Norvegjisë, kështu që mundësia për të luajtur për Shqipërinë nuk ekziston", ka sqaruar trajneri i Kosovës. /albeu.com/



Shtuar më 23/01/2015, ora 11:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori