Dallku: Largohem nga Kombëtarja
Ndeshjet kundër Zvicrës dhe Qipros mund të jenë të fundit për Armend Dallkun në Kombëtaren e Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja kosovare "Arena", e cila i referohet një deklarate të vetë lojtarit. Mbrojtësi kosovar po e mendon seriozisht largimin nga ekipi kuq e zi, me qëllim që të mund t’u lërë më shumë hapësira lojtarëve më të rinj.

30-vjeçari pohon se vendimin përfundimtar do ta marrë pas përfundimit të këtyre eliminatoreve. Mbrojtësi luan prej nëntë vitesh me Kombëtaren, por kohët e fundit, nisur edhe nga loja gjithnjë e në rënie, vendi i tij në skuadër është rrezikuar ndjeshëm. Madje, në ndeshjen ndaj Islandës, ai ishte një ndër lojtarët më të dobët në fushën e lojës.


"Pasi të përfundojë ky cikël, të gjithë do të ulemi për të analizuar ecurinë e skuadrës. Po ashtu, unë do të flas me kolegët, trajnerin dhe me krerët e federatës, prej të cilëve dua të mësoj se a u nevojitet ende kontributi im apo jo. Pas kësaj do të marr një vendim përfundimtar. Unë konsideroj se nuk ia vlen të udhëtoj nga Ukraina për të zhvilluar nga pesë apo dhjetë minuta lojë. Realisht kjo nuk është një gjë e mirë për mua, prandaj do të isha i gatshëm që të tërhiqesha, sepse tashmë jam 30-vjeçar, dhe t’i lija hapësirë ndonjë lojtari të ri e perspektivë", pohoi Dallku.

Megjithatë, mbrojtësi kuqezi thotë se e ardhmja e tij do të dihet saktësisht pas eliminatoreve. "Nëse kolegët Lorik Cana, Etrit Berisha e gjithë të tjerët kanë nevojë për prezencën time, e po ashtu nëse kësi nevoje ka Kombëtarja, trajneri, tifozët, atëherë unë do të vazhdoj. Por, po e përsëris, kjo do të dihet pas eliminatoreve", theksoi 30- vjeçari. /albeu.com/

Shtuar më 20/09/2013, ora 11:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori