De Biasi: Ëndrra vazhdon
G. de Biasi
Gianni De Biasi është i kënaqur me paraqitjen e bërë në ndeshjen e djeshme kundër Sllovenisë, sidomos në pjesën e dytë, por e pranon zhgënjimin për rezultatin. Trajneri i Kombëtares kuqezi sqaron vendimin e tij për ta nisur lojën me një sulmues dhe për të ndryshuar skemë më pas. Gjithsesi, italiani shprehet se dje kanë pasur më shumë raste për shënim sesa fitorja 1-0 në Tiranë kundër Sllovenisë.

"Futbolli kështu është. Një rezultat shumë i keq, pasi luajtëm mirë, por duhet t’i pranojmë edhe këto gjëra në këtë sport. Nuk e merituam aspak humbjen, sepse u treguam superiorë. Madje, edhe barazimi do ishte pak. Më vjen keq për lojtarët që dhanë maksimumin në fushë dhe për tifozët që kishin ardhur të na ndiqnin deri në Slloveni. Krijuan një atmosferë që na bënë të ndiheshim sikur luanim në fushën tonë", shprehet De Biasi.

Pyetjes pse e nisi ndehsjen me një sulmues dhe me Kaçen pas tij, De Bias iu përgjigj: "Nuk mund të rrezikoja dhe ta nisja ndeshjen me dy sulmues. Luanim në transfertë dhe ndaj një kundërshtari të fortë taktikisht. Ishte e domosdoshme që të ruanim ekuilibrin në pjesën e parë, edhe pse pësuam gol. E prisja që Sllovenia të ishte agresive në minutat e para, ndaj ne duhej të ishim më të fortë në mesfushë, sidomos në qendër të saj".

Përsa i përket shanseve të Shqipërisë në Grupin E tekniku italian deklaroi: "Ëndrra vazhdon. Me këtë skuadër mund të shkojmë larg. Na presin edhe tri ndeshje, prej të cilave do mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur…". /albeu.com/









Shtuar më 07/09/2013, ora 12:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori