De Biasi: Ndaj Hungarisë kërkojmë ekuilbrin
Një miqësore shërben për të eksperimentuar dhe përfituar nota pozitive në këndvështrimin e përgatitjeve për përballjet që vlejnë, dhe Gianni De Biasi dëshiron ta bëjë të qartë diçka të tillë në vigjilje të testit përballë Hungarisë në stadiumin "Ferenc Puskas" të Budapestit.

Pas seancës së fundit stërvitore tekniku italian i ka të qarta idetë mbi rreshtimin e skuadrës por gjithsesi nuk ka preferuar ta bëjë atë publik ndërsa kërkoi të japë mesazhin se për të në këtë sfidë dëshiron të marrë përgjigjet e duhura nga provat që do të bëjë në funksion të së ardhmes.

"Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duke qenë miqësore nuk do të doja të ndalesha tek rezultati. Ajo që duhet të kuptojmë është mënyra se si skuadra mund të shprehet dhe të gjejë ekuilibrin. Kjo nuk është shumë e thjeshtë, sidomos nëse kemi parasysh këtu që disa lojtarë kyç për skuadrën tonë kanë munguar ose mund të mungojnë në ndeshjen e ardhshme. Por gjithsesi ne duhet të punojmë të fokusuar dhe të bëjmë bilancin pas çdo ndeshje dhe të përmirësohemi", është shprehur italiani.

Ka qenë kjo deklarata e teknikut të Kombëtares që sipas burimeve pranë stafit të kombëtares pritet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë repartit mbrojtës në takimin me Hungarinë. /albeu.com/
Shtuar më 04/06/2014, ora 09:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori