De Biasi: Nuk ka kushte për përsëritjen e ndeshjes
Gianni De Biasi del sërish në mbrojtje të skuadrës së tij për atë që ndodhi në mbrëmjen e zezë të Beogradit. Në një intervistë dhënë për radio "Crc", tekniku italian flet për momentet e tensionit duke theksuar se policia nuk ndërhyri kur tifozët hynë në fushën e lojës, madje as kur kapiteni Lorik Cana u sulmua nga një prej tyre.

"Në dhomat e zhveshjes nuk ndodhi asgjë por në tunel po. Disa lojtarë u rrëzuan dhe të tjerët patën probleme. Në stadium kishte mijëra tifozë të karikuar, por unë u godita vetëm me një monedhë. Në qiell fluturonin gurë por për fat të mirë nuk më preku asnjë", thekson De Biasi që kthehet pas në kohë për të folur edhe për shortin që vuri përballë dy kombëtaret.

"Menjëherë pas hedhjes së shortit u çudita përse UEFA lejoi që Shqipëria dhe Serbia të luanin në të njëjtin grup. Kjo ishte një zgjedhje e gabuar".


Tekniku italian shton më tej se nuk beson që UEFA ta përsërisë ndeshjen pasi nuk janë kushtet për të garantuar sigurinë.

"Ne ishim në gjendje të mirë. Patëm dy raste për të shënuar dhe po luanim me kurajo. Jam i sigurt se për ndeshjen e kthimit shqiptarët do të respektojnë futbollin dhe nuk do të shfaqin parrulla politike për hakmarrje. Objektivi jonë është që të tregojmë se jemi një shtet i rëndësishëm", përfundon tekniku i Kombëtares shqiptare. /albeu.com/
Shtuar më 17/10/2014, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori