De Biasi: Objektivi ynë, kualifikimi në "Francë 2016"
Pëlqej
Gianni De Biasi u shfaq para mediave për herë të parë për Eliminatoret e Europianit 2016 dhe tekniku menjëherë shpalli listën duke konfirmuar disa mungesa.

"Në këto ndeshje kualifikuese besoj se do të bazohemi te 26 apo 27 futbollistë dhe prej tyre do të përzgjedh cdo herë 11 titullarë. Ndryshe nga dy vitet e kaluara kemi më shumë njohuri dhe aftësi për t’i menaxhuar sa më mirë situatat. Është e qartë që në këtë listë mungojnë futbollistët e dëmtuar, që për ne janë shumë të rëndësishëm. Mund të përmend Bashën dhe Mehën, që kanë patur probleme fizike", tha tekniku italian i Kombëtares.

De Biasi u shpreh se në këto ndeshjet e para do t’i besojë atyre lojtarëve që kanë luajtur më shumë sepse janë në formën më të mirë duke parë se disa kampionate sapo kanë nisur.

"Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme e sezonit dhe këtë ju e dini shumë mirë. Kampionati shqiptar ka nisur prej një jave, Seria A po starton kërtë fundjavë, ndërsa në Norvegji apo Zvicër po luajnë prej shumë kohësh. Agolli që është pjesë e rëndësishme e kombëtares ka luajtur disa ndeshje në Azerbajxhan, ndërsa Abrashi është lojtari që është aktivizuar më shumë. Pra zgjedhjet e mia do të kushtëzohen edhe nga minutat që kanë në këmbë futbollistët", vijoi ai.

Italiani më pas justifikoi mungesën e Valdet Ramës, një prej lojtarëve më të rëndësishëm të kombëtares por ai theksoi se mbi të gjitha vlen kombëtarja dhe flamuri mbi çdo emër.

"Kam lënë jashtë listës emra të rëndësishëm si Valdet Rama, të cilin nuk e grumbullova pasi vetëm orët e fundit ka gjetur skuadër. Vështirë se mund të marrim në konsideratë lojtarë që nuk kanë luajtur. Nga tani e më pas ata që do të grumbollohen duhet të jenë maksimalisht të përgatitur për të kontribuar për Shqipërinë. Më shumë cdo gjë tjetër vlen flamuri kuqezi dhe ata që do të përfaqësojnë Shqipërinë duhet ta mbajnë sa më lart", deklaroi De Biasi.

Së fundmi, De Biasi u shpreh se mungesa e Ronaldos te Portugalia nuk përbën avantazh për Shqipërinë e megjithatë për italianin objektivi kryesor i kombëtares është një:

"Nëse futesh në garë për një pikë, matematikisht je i humbur. Ne ndaj Portugalisë do të synojmë të bëjmë lojën tonë, që do të thotë se duhet të kemi shumë respekt për kundërshtarin. Ata do të kërkojnë ta mbyllin sa më shpejt ndeshjen. Ne duhet të jemi të zotë që të kundërsulmojmë me shpejësi dhe të shfrytëzojmë hapësirat që mund të na krijohen. Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të arritur objektivin tonë maksimal, që është kualifikimi për në Paris".

Ndeshja e parë e Shqipërisë në fushatën eliminatore të Europianit 2016 është sfida e 7 shtatorit me Portugalinë në Aveiro. /albeu.com/
Shtuar më 30/08/2014, ora 16:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori