De Biasi për "La Repubblica" : "Andej nga ne" besojnë te kualifikimi
Pëlqej
Fitorja me Portugalinë e ka bërë trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasin, njeriun më të kërkuar në vendin e tij. Numri një i stolit kuqezi paraqitet në intervistën e dhënë me shprehjen "andej nga ne", duke e etiketuar veten si një "shqiptar" përpara bashkëkombasve të tij. Fitorja me luzitanët ka kthyer vëmendjen e të gjithë botës në drejtim të tij dhe ekipit që ai udhëheq.

"Shiko, andej nga ne janë të gjithë të bindur se do të kalojmë. Kjo më shqetëson. Sepse relaksimi është në karakterin e shqiptarëve, madje më shumë sesa për italianët. Jemi në një grup horror dhe do të ndërroja të gjithë. Nuk mjafton Portugalia, por kemi në Tetor sfidat me Danimarkën dhe Serbinë, kjo e fundit 15 vite pas luftës së Kosovës", është shprehur tekniku italian.

Pas një analize të përgjithshme De Biasi ndalet të tregojë për futbollin në Shqipëri, rëndësinë që ka ky sport në vendin tonë.

"Futbolli është një faktor kënaqësie në Shqipëri. Ambienti e mbështet skuadrën. Pas cdo fitoreje ka shumë entuziazëm. Është një popull që dëshiron të jetojë, ndërsa djemtë në Tiranë dëshirojnë të kalojnë të tjerët për të rikuperuar kohën e humbur. Është një rini shpërthyese dhe e përgatitur, me një njohuri të jashtëzakonshme të gjuhëve të huaja", vijon tekniku i Kombëtares kuqezi.

Më pas vëmendja dhe kërshëria e shtypit italian shkon për kombëtaren dhe grupin e kuqezinjve. De Biassi bëhet udhërrëfyesi për të treguar ambientin në të cilin punon.

"Shumë nga djemtë janë të lindur jashtë Shqipërisë. Ata vijnë nga realitete të ndryshme, prindërit e tyre janë larguar për të jetuar më mirë me punë të ndershme. Për ta futbolli është një mundësi e mirë. Por ka edhe nga ata që zgjedhin të luajnë për kombëtare të tjera dhe dëgjoj nga prindërit e tyre, cfarë më ofron? Konsiderata ime për fanellën e kombëtares, këtë ofroj. Të tjera gjëra për të ofruar nuk kam. Sot kush lind në Shqipëri ka një shans më shumë për të studiuar dhe punuar këtu", është shprehur De Biasi.

Më pas jetesa në Tiranë, dhe në këtë rast De Biassi bën dhe reklamën e duhur për vendin tonë, duke ftuar italianët dhe në vecanti moshën e tretë të vizitojnë më shpesh Shqipërinë. Sigurisht një ndihmë e madhe për italianin është edhe Digitalb, familja e të gjithë shqiptarëve.

"Në Shqipëri një pensionist italian do të jetonte shumë mirë. Peshk dhe verë për vetëm 20 euro, për një taksi në qendër mjaftojnë 3 euro. Por aty qëndroj pak. Vetëm 4 futbollistë luajnë në kampionatin vendas, që po rritet dita ditës. Aty luajnë serbë, kroatë dhe brazilianë. Kam një aparat Digitalb dhe aty shoh të gjitha ndeshjet, edhe pse në ndeshjen Tirana-Flamurtari u dëfreva në stadium. Unë duhet të lëviz shumë edhe në Europë për të ndjekur futbollsitët e tjerë, megjithatë për një orë e 10 minuta jam gjithmonë në Tiranë", përfundon tekniku italian i Shqipërisë Gianni De Biasi. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2014, ora 14:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori