De Biasi: Prisja një telefonatë nga Duka
Gianni De Biasi ka konfirmuar faktin se kishte pritur një telefonatë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas ndeshjes së 7 qershorit me Norvegjinë. Në një intervistë fotografike dhe në një version disi më ndryshe nga herët e tjera, në studion e "Jamais Vu" të gazetarit Mustafa Nano, tekniku ka treguar edhe anën tjetër De Biasit.

Ai ka folur jo vetëm për futbollin, por edhe për Tiranën e Shqipërinë në përgjithësi, duke dhënë një ide se si e njeh ai tashmë këtë vend.

"T’ju them të drejtën, unë prisja pas ndeshjes me Norvegjinë që presidenti (Duka) të më thërriste për një takim, por ajo telefonatë nuk erdhi. Megjithatë, unë e kam thënë edhe më parë që jam i gatshëm që ta shpie përpara këtë projekt dhe po ju flas shumë sinqerisht dhe me zemër në dorë. Kushte? Jo nuk ka të tilla. Po pres takimin me presidentin. Do shikoj se cilat janë pritshmëritë e tij dhe në bazë të tyre do vendosim mbi të ardhmen. Sa i përket kualifikimit, të ëndërrosh nuk është e ndaluar, madje të bën mirë, të paktën deri në atë moment kur zgjohesh dhe shikon ku je. Gjithsesi, ne po bëjmë një punë të mirë të ndershme dhe jemi koshientë që e kemi nisur nga një shkallë e ulët dhe tani po ngjitemi me dëshirën dhe ambicien për të shkuar sa më lart. Por futbolli është edhe një sport situatash: mjafton një shtyllë, një penallti e gabuar, që të penalizohesh jo thjesht për një ndeshje. Duhet të punojmë mirë sot, të marrim maksimumin dhe, nëse nuk arrijmë të shkojnë në Botëror, të nxjerrim mësime mbi atë çka nuk funksionoi. Gjithsesi, unë mendoj se kjo skuadër i ka ‘letrat në rregull’ për të pretenduar për EURO 2016″, ka thënë ndër të tjera trajneri kuqezi. /albeu.com/
Shtuar më 23/06/2013, ora 18:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori