Donis Avdiaj i thotë "Po" Shqipërisë
Donis Avdiaj i thotë "Po" Shqipërisë. Zgjidhet më në fund dilema se me cilën kombëtare do të luajë talenti i Shalkes. 18-vjeçari ka vendosur të përfaqësojë kombëtaren kuqezi, edhe pse në lojë për të ishte edhe Gjermania.

Ky fakt bëhet i ditur nga gazeta kosovare "Arena", që në shkrimin e saj citon se Avdiaj i ka dërguar një mesazh trajnerit të përfaqësueses shqiptare Gianni De Biasi, ku i bën të ditur se ai do të luajë për kuqezinjtë dhe që nga ky moment është në dispozicion të italianit, i cili do të shohë se me çfarë ritmi do të ecë Donisi me skuadrën e tij, për të vendosur më pas nëse do ta thërrasë atë për grumbullimet e ardhshme.

Gjithmonë, sipas asaj që bën të ditur e përditshmja kosovare "Arena", në këtë zgjedhje të Avdiajt ka patur një rëndësi jo të vogël edhe ish-kapiteni i kombëtares sonë, aktualisht ndihmës i De Biasit, Altin Lala, i cili me përfshirjen e tij në këtë çështje ka bindur 18-vjeçarin t’i thotë "Po" përfaqësueses kuqezi.

Avdiaj është një talent i padiskutueshëm, më parë është aktivizuar me kombëtaret e moshave të Gjermanisë. /albeu.com/
Shtuar më 12/10/2014, ora 10:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori