Duka: Gati rinovimi për De Biasin
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është gati t’i ofrojë rinovimin e kontratës trajnerit të Kombëtares, Gianni De Biasi. I ftuar dje në mbrëmje në emisionin "Dribbling", në televizionin "Vizion Plus", numri një i institucionit të futbollit foli edhe për ndeshjen e 7 qershorit ndaj Norvegjisë.

"Qëndrimi im në marrëdhëniet me trajnerin De Biazi ka qenë konstant. Unë personalisht dua ta vazhdoj bashkëpunimin, por nuk mund të flas me siguri, pasi duhet të ulem të bisedoj më konkretisht me trajnerin për anën financiare dhe detajet e tjera. Për sa e njoh unë trajnerin, mund të them se nuk është një person që tërhiqet nga të ardhurat përpara punës dhe pasionit të tij", u shpreh Duka.

Më tej ai dha një koment për prurjet e reja në përfaqësuese.

"Janë disa emra të rinj që do të afrohen në këtë grumbullim ndaj Norvegjisë, që do të nisë disa ditë para ndeshjes. Për Bashën dhe Abrashin do të kërkojmë në FIFA që të kemi shërbimet e tyre, për shkak se janë aktivizuar më parë me Kombëtaren. Nga ana tjetër, mund të them se me Gjasulën nuk kemi probleme. Gjithashtu Ergys Kaçe është i gatshëm, por nuk jam i sigurt nëse do të grumbullohet ndaj Norvegjisë. Gjithsesi, besoj se do të jetë pjesë e ekipit", shtoi presidenti i FSHF-së. /albeu.com/


Shtuar më 21/05/2013, ora 11:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori