Duka "ultimatum" De Biasit: Ke një muaj kohë
G. de Biasi - A. Duka
Çështja e trajnerit mbyllet këtë muaj. Lajmin e konfirmon vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Pas një takimi me trajnerin Gianni De Biasi në aeroportin e Rejkjavikut, tashmë topi ka kaluar tek italiani. Duka e ka bërë ofertën për rinovimin dhe, brenda shtatorit, trajneri duhet të japë një përgjigje përfundimtare.

Për këtë çështje, por jo vetëm, kreu i federatës foli pa doreza për "Panorama Sport", teksa ndër të tjera theksoi se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga humbja e fundit.

"Mendimi im për De Biasin është konstant. Ky trajner ka punuar mirë me Kombëtaren, duke e rinovuar në një farë mënyre. Dua që ai të vazhdojë të jetë në krye të Kombëtares. Ofertën ia kam bërë, tashmë pres unë që ai të thotë "po". Nuk kam bërë asnjëherë biznes me trajnerët, kjo nuk është një situatë që duam të ulim apo të rrisim pazarin. Për mua, De Biasi duhet të vazhdojë dhe ne duhet të nisim përgatitjet për edicionin tjetër, pra të fillojë që tani puna për skuadrën, edhe pse na kanë mbetur ende dy ndeshje. Në këto të fundit gjithashtu duhet të marrim më të mirën, por më shumë duhet të mendojmë për edicionin tjetër", është shprehur numri një i futbollit shqiptar.

Por sa afati le Duka teknikut italian? "Ky do të jetë muaji vendimtar, nuk duhet t’i zvarrisim gjërat. Kur them do të fillojë puna për edicionin tjetër, kuptohet që edhe trajnerin duhet ta dimë se kush është. Të jemi të qartë, unë ia kam dhënë ofertën time dhe nuk kam asnjë arsye pse të bisedojmë sërish. Tashmë ai duhet të japë një përgjigje përfundimtare. Ne duam që të qëndrojë, kështu që nëse edhe ai ka këtë vullnet, atëherë t’i mbyllim gjërat shpejt, në të kundërt do të mendojmë për një trajner tjetër. Këto punë kështu e kanë. Nuk ka kohë më për të pritur dhe gjithçka do të zgjidhet para ndeshjes me Zvicrën. Ose do të bëjmë një kontratë për edicionin e ardhshëm, ose do të mendojmë për trajner tjetër. Duhet të fiksojmë gjërat brenda shtatorit, për të pasur të qartë gjithçka në lidhje me përgatitjet tona. Në nëntor do të kemi edhe një miqësore, kështu që puna duhet të fillojë për edicionin e ri", deklaroi Armando Duka. /albeu.com/



Shtuar më 12/09/2013, ora 13:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori