Dynënshtetësia, Atdhe Nuhiu nuk do luajë për Shqipërinë
Zyrtare: Atdhe Nuhiu nuk do të luajë për Kombëtaren shqiptare. Të paktën jo derisa ai të jetë pajisur me pasaportë shqiptare. Por, që të ndodhë kjo, do duhet të heqë dorë nga ajo austriake. Kjo e fundit ka shumë, shumë pak gjasa që të ndodhë, ndaj burime pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë me dije se momentalisht është hequr dorë nga procedurat për pajisjen e tij me nënshtetësi shqiptare.

Pas negociatave me drejtuesit e institucionit të futbollit shqiptar, Nuhiu kishte rënë dakord që të luante për kuqezinjtë, mirëpo problem për sulmuesin ishin bërë austriakët. Sipas ligjeve të këtij shteti, nuk lejohet mbajtja e dy nënshtetësive. Në këto kushte, nëse Nuhiu do të pajisej edhe me pasaportë shqiptare, atëherë ai do duhej të hiqte dorë nga ajo austriake. Ky variant nuk i intereson aspak futbollistit kosovar, pasi ai dhe familja e tij kanë ndërtuar jetën në Austri dhe për më tepër luan në Europë (aktualisht luan te Sheffield Wednesday në Championship) si komunitar.

Lojtari është konsultuar edhe me juristë të njohur, sesi të gjente një mënyrë që do t’i hapte rrugën e aktivizimit te Kombëtarja shqiptare, por sigurisht pa prekur interesat e tij në Austri. Zgjidhja ishte gjithsesi e përkohshme: futbollisti mund të përfitonte nga një vakum ligjor i shtetit austriak, i cili e lejon atë për mbajtjen e dy nënshtetësive, por vetëm për një periudhë 1-vjeçare. Mirëpo, pasi të kalojë kjo kohë, Nuhiu duhet të zgjidhte sërish vetëm një nga nënshtetësitë.

Ndërkohë, sipas "Panorama-Sport", mësohet se edhe ky variant ka rënë poshtë, pasi Austria ka qenë e prerë me lojtarin: nëse merr pasaportë shqiptare, duhet të lësh atë austriake.

Në të tilla kushte, Nuhiu ka hequr dorë nga Kombëtarja kuqezi. /albeu.com/
Shtuar më 20/11/2013, ora 12:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori