Ergys Kaçe drejt Serie A
Pëlqej
Rikthimi i Ergys Kaçes në dispozicion të trajnerit Hub Steevens është thjesht i përkohshëm. Nëpërmjet një shkrimi të publikuar orët e fundit, faqja e specializuar "Sportdog.gr", zbulon disa prapaskena të shoqërisë së PAOK-ut që mesa duket nuk ka aspak ndërment ta rehabilitojë plotësisht djaloshin shqiptar edhe pse e konsideroi të mbyllur çështjen e fotos me bluzën e UÇK-së.

Media greke thekson se marrëdhënia mes lojtarit dhe klubit është krisur dhe riintegrimi i tij nuk do të jetë i plotë pasi PAOK planifikon ta largojë te një skuadër tjetër gjatë merkatos së dimrit. Planet e presidentit Ivan Savides janë që Kaçe të huazohet me të drejtë blerjeje nga klubi i tij i ardhshëm në merkaton e verës.

"Sportdog" shkruan gjithashtu se 20-vjeçari ka ndryshuar menaxher duke emëruar një person që ka lidhje të ngushta me disa klube në Serie A. Në fund të shkrimit, theksohet se mundësia që Kaçe të përfundojë në një kampionat tjetër është e madhe, pasi kohët e fundit edhe marrëdhënia e tij me tifozët e PAOK-ut është ftohur ndjeshëm.

Aktualisht Kaçe ndodhet në grumbullim me kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e fundit eliminatore kundër Zvicrës dhe Qipros dhe më pas do të rinisë stërvitjen me klubin nga Selaniku ku mesa duket, i ka ditët e numëruara. /albeu.com/
Shtuar më 09/10/2013, ora 16:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori