Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë po afron dhe tensionet shtohen orë pas ore. Lajmet për ardhjen e tifozëve shqiptarë në
Beograd ndryshojnë vazhdimisht dhe kjo duket se ka shtuar problemet te
Federata Serbe e Futbollit, që është edhe organizatore e takimit.
Komisioneri për siguri në Federatën Serbe të Futbollit, Milivoj Mirkov deklaroi për "Alo", se problemi më i madh për ta është
Federata Shqiptare e Futbollit, që ende nuk e ka dërguar listën me
emrat e tifozëve që pritet të vijnë në
Beograd. Kjo për faktin se FSHF nuk ka pranuar kushtin e vendosur nga Serbia që në
Beograd të kenë të drejtë të vijnë vetëm ata tifozë që kanë pasaportë
shqiptare.
"Kjo është e papranueshme. Përfaqësuesit e Shqipërisë duket sikur nuk shqetësohen nga fakti që ndeshja paraqet rrezik të lartë. Nuk kanë vizituar stadiumin, as hotelin ku do të qëndrojnë kurse vazhdimisht refuzojnë të dërgojnë
emrat e mbiemra e atyre që do të jenë në
Beograd. Për këtë kanë kohë deri të premten", deklaroi Mirkov.
Ai ka insistuar se Serbia është duke marrë masa që mos të lejojë asnjë incident.
"Kontrollet në rrugë do të jenë rigoroze. Nëse dikujt i shkon ndërmend të djeg fanellën e mysafirit, menjëherë do të arrestohet, dërgohet në gjykatë dhe përfundojë në burg. Në tribuna do të ketë policë civilë që do të angazhohen për të parandaluar çdo lloj çmendurie", u shpreh ai. /albeu.com/
Shtuar më 07/10/2014,
ora 09:30