Foto e rrallë/ Ja si janë përgatitur lojtarët për sfidën kundër Maqedonisë (FOTO LAJM)

Pëlqej
Një foto nga bari i hotelit, ku qëndruan për dy ditë në Elbasan, ka nxjerrë zbuluar kuqezinjtë. Lojtarët e Kombëtares shqiptare nuk interesohen fare për rivalin e radhës, Maqedoninë, por më tepër i joshte superndeshja e grupit G, Spanjë- Itali, e luajtur në mbrëmjen e së shtunës.

Pas përfundimit të takimit Shqipëri-Lihtenshtejn (u luajt në 18:00), trajneri Kristian Panuçi kishte luksin të vëzhgonte edhe Maqedoninë, që përballej në 20:45 ndaj Izraelit. I pyetur menjëherë pas ndeshjes në “Elbasan Arena”, nëse do të ndiqte Spanjë-Itali apo IzraelMaqedoni, Panuçi u shpreh prerë: “Më intereson vetëm Maqedonia, do të shikoj pikërisht atë ndeshje”.

Italiani i pankinës kuqezi ka marrë çfarë ka dashur nga kundërshtari i radhës, teksa e ndoqi “live” pikërisht në një ditë super. Maqedonia fitoi në Izrael 0-1, falë një goli të kapitenit Pandev, raporton Panorama. Megjithatë, për Etrit Berishën, Elseid Hysajn, Mërgim Mavrajn, Migjen Bashën, Odise Roshin, Eros Grezdën dhe Berat Gjimshitin, të cilët ishin së bashku në një tavolinë në hollin e hotelit në Elbasan, kishte më shumë interes për të ndjekur Spanjë-Itali.

Siç duket edhe në foto, lojtarët kanë qenë kureshtarë për këtë kryendeshje, që përfundoi me fitoren 3-0 të iberikëve, të cilët kryesojnë grupin G. Ndoshta nuk kishin marrë ndonjë këshillë specifike nga Panuçi për të ndjekur Maqedoninë, e cila do të studiohet sot me një video-analizë, që sillet enkas nga specialisti italian, Marko Rosi. Nisur nga kjo, lojtarët kanë preferuar të shikojnë “kokat” e grupit, në një kohë që Shqipëria në këtë fund-edicioni do të luajë në Spanjë dhe më pas do ta mbyllë me Italinë në “Loro Boriçi”.

Në dy ndeshjet e para ndaj Kombëtareve “big”, kuqezinjtë kanë humbur me të njëjtin rezultat: 2-0. Tashmë në radhë është Maqedonia, një kundërshtar që Shqipëria nuk e ka mundur asnjëherë në transfertë. Gjithçka mbetet për t’u parë nesër, në një ndeshje që vendos shumë për ekipin që do të mbyllë edicionin në vendin e tretë, edhe pse praktikisht Shqipëria është ende në lojë për të qenë e dyta në grup.

Shtuar më 05/09/2017, ora 10:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori