Gafa me himnin e Shqipërisë, UEFA hap procedurë disiplinore ndaj Francës
Revista franceze L’Equipe raporton se incidenti me himnin e Shqipërisë në përballjen mes Francës dhe kuqezinjve në “Stade de France” një javë më parë nuk është pritur mirë nga UEFA, që ka nisur procedurë disiplinore ndaj Francës, e cila mund të gjobitet me 100 mijë euro.

Franca e mposhti Shqipërisë të shtunën e kaluar, në stadiumin “Stade de France”, me rezultat 4:1. Megjithatë, Federata Franceze e Futbollit mbeti e turpëruar nga një incident që ndodhi para fillimit të ndeshjes.

Në vend të himnit kombëtar shqiptar, në Paris u intonua himni i Andorrës. Kjo shpiu në shtyrjen e ndeshjes për disa minuta, pasi lojtarët e Shqipërisë refuzuan të nisnin ndeshjen pa u korrigjuar gabimi.

Gjithsesi, posa u gjet himni i duhur, spikeri në stadium bëri një gafë tjetër duke iu kërkuar falje tifozëve të Armenisë, në vend të atyre të Shqipërisë.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Francës, Noel Le Graet, i ka shkruar letrën presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës, duke i kërkuar falje për gafat para fillimit të ndeshjes mes këtyre dy Kombëtareve.

“Në emër të Federatës Franceze të Futbollit, ju lutem pranoni sërish keqardhjen dhe faljen time të sinqertë për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të gjithë tifozëve Shqiptarë pas luajtjes gabim të himnit kombëtar para nisjes së ndeshjes kualifikuese mes Francës dhe Shqipërisë, të mbajtur të shtunën e kaluar”, shkruhet në letrën e Le Graet.

Megjithatë, kjo kërkimfalje nuk ishte e mjaftueshme për UEFA-n, që sipas revistës franceze L’Equipe do t’i dënojë “Les Blues” me gjobë prej 100 mijë eurosh. Vendimi përfundimtar do të bëhet i ditur më 17 tetor.
Shtuar më 14/09/2019, ora 18:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori