Kush janë 4 të arrestuarit për grabitjen e Rinasit
Hamitaj e pësoi i fundit, rastet e rënda të dhunës në futbollin shqiptar
Dhuna në futbollin shqiptar është diçka që shpërthen herë pas here. Rasti i djeshëm në Kamëz, me kryesorin Eldorian Hamitaj, nuk ishte “ekzotik”, sepse të tilla momente të papranueshme janë ndeshur në disa raste të tjera në kategoritë e ndryshme të futbollit tonë.

Natyrisht, ta shohësh “live”, përmes kamerave televizive, impakti negativ mbi imazhin e këtij produkti sportiv është i madh, aq më tepër që ndodh në Superiore, një garë e monitoruar gjerësisht.

Më poshtë po ju sjellim në kujtesë incidentet e rënda në fushat e blerta, ose në mjediset sportive, të futbollit tonë, që janë ndëshkuar rëndë nga organet disiplinore të FSHF-së, shkruan TS.

Nëntor 2015: Sopoti - Iridon Bahiti, pas ndeshjes me Luftëtarin, në Kompleksin e Pezës, hyri në fushë dhe tentoi të godiste gjyqtarin Sokol Çekaj. Nëse këtë s’e arriti dot ta bënte, sepse ndërhynë ato pak forca policore private, që ishin aty, e pështyu në fytyrë kryesorin nga Laçi. Ajo pështymë i ka kushtuar 2 vite (24 muaj) pezullim nga çdo aktivitet sportiv në Shqipëri zyrtarit të Sopotit, Iridon Bahiti. Veç kësaj, Sopoti, për dështim në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive, e humbi ndeshjen me Luftëtarin në tavolinë, me rezultatin 3-0 dhe zhvillimin e 6 ndeshjeve pa spektatorë.

2014: Bylis - Ekipi i KF “Bylis”, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive, bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të KDS, u dënua me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori më poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me KF “Laçi“, me rezultatin 3-0.
Zyrtari i KF “Bylis”, Besnik Kapllanaj, për dhunë fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes u përjashtua përgjithmonë nga çdo aktivitet sportiv. Kujtojmë se delegati Besnik Çela u godit me sende të forta në kokë në Ballsh, pas ndeshjes me Laçin, ndërsa pas mjekimeve në spitalin e Fierit bëri kallëzimin në komisariat për Kapllanajn.

2011: Laçi: Ndeshja me Kastriotin kishte përfunduar 1-1, por tifozë e zyrtarë vendës goditën drejtues e arbitra, kryesisht Lorenc Jeminin. Bardhezinjve iu zbritën 6 pikë nga klasifikimi dhe gjysmën e sezonit të ardhshëm e luajtën në fusha asnjanëse.

2011: Pogradeci - Ndeshja ndaj Teutës kishte përfunduar, por u godit një zyrtar i FSHF-së. Liqenorëve iu zbriten tri pikë nga klasifikimi.

2009: Tërbuni - Edhe pse kishte përfunduar ndeshja, tifozë e drejtues vendës u futën në fushë dhe goditën zyrtarët e ndeshjes ndaj Kastriotit. Vendimi i Disiplinës ishte zbritja e Tërbunit një kategori më poshtë dhe dhënia e 3 pikëve në tavolinë krutanëve!

Flamurtari-Skënderbeu - Vetëm se u godit me një grusht presidenti i skuadrës korçare, Ardian Takaj, Flamurtarit iu zbritën tri pikë nga klasifikimi.

24.09.2006 / Vlorë – Drejtuesit e klubit “Flamurtari” uzurpojnë fushën e tyre, pas dhënies së një penalltie për bregdetarët në ndeshjen Flamurtari-Teuta. KF Flamurtari dënohet me 3 ndeshje pezullim të fushës dhe 100 mijë lekë të rinj gjobë.

04.10.2006 / Peqin - Tifozët vendës sulmojnë presidentin e Partizanit, Albert Xhani, pas ndeshjes Shkumbini-Partizani. Goditen me shkelma e grushte edhe arbitrat Indrit Shima dhe Sokol Avdo. Fusha e Peqinit pezullohet për 6 ndeshje.

17.10.2006 / Devoll - Futbollistët e Gramozit, Ergi Xaka, Adriatik Kodra, Armand Caka, Ervis Ismolli, Hyserion Shupe dhe Evis Peçi ushtrojnë dhunë fizike ndaj arbitrave të ndeshjes Gramozi-Bylisi. Futbollistët pezullohen për 3 vjet, klubi përjashtohet nga kampionati dhe zbret një kategori më poshtë.

10.11.2006 / Burrel - Drejtuesit e klubit të Burrelit ushtrojnë dhunë mbi shefin e arbitrave të FSHF-së, Sulejman Mema, arbitrin e ndeshjes Burreli-Erzeni, Mentor Sopjani, si dhe trajnerin e Erzenit, Hysen Dedja. Klubi përjashtohet nga kampionati, zbritet një kategori më poshtë.

11.11.2006 / Poliçan - Në takimin Poliçani-Bylisi futbollistët dhe stafi i skuadrës ballshiote u goditën me mjete të forta dhe qyta pistolete nga drejtuesit dhe tifozët vendës. Dy futbollistë dhe zëvendëstrajneri ballshiot përfunduan në spitalin e Fierit.

09.02.2008 / Tepelenë - Dhunohen gjyqtarët e takimit Tepelena-Pogradeci. Kryesori Shkëlqim Balliu merr plagë në kokë pas hedhjes në fushë të sendeve të forta. Për shpërndarjen e tifozëve policia u detyrua të qëllonte me armë në ajër.

01.03.2008 / Sarandë - Në Butrinti-Memaliaj, lojtarët e Memaliajt janë dhunuar nga tifozët, aq sa portieri Ervin Merdani përfundoi në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Klubi përjashtohet për 2 vjet nga të gjitha kompeticionet.

19.11.2010 / Memaliaj - Në ndeshjen Memaliaj-Butrinti mbeti i plagosur futbollisti sarandjot Lulëzim Meta, pasi u godit nga tifozët, të cilët invaduan fushën e lojës. Dhunë pati edhe ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Kështu, Memaliaj u përjashtua për dy vjet nga kampionati, ndërsa disa futbollistë u përjashtuan për 5 vjet nga të gjitha aktivitetet.
Shtuar më 04/03/2019, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori