Ja si e përjetoi Panucci debutimin në stolin e Kombëtares shqiptare
Pëlqej
I veshur shik me kravatë, i qetë me emocionet që mundohet t’i mbajë për vete dhe të mos e japë veten në asnjë moment në çaste gëzimi apo dëshpërimi, Kristian Panuçi nis në këtë mënyrë aventurën e tij me Kombëtaren shqiptare. “Panorama Sport” vëzhgoi gjatë gjithë kohës lëvizjet e italianit në pankinë, i cili, ndryshe nga paraardhësi i tij në stolin kuqezi, Xhani De Biazi, shumë pak herë shfryu apo shfaqi nervozizëm. Në të vetmin rast kur doli nga “vetja” ishte goli i dytë i Agollit, i cili, me sa duket, e çliroi dhe gëzoi me duar.

* Gjatë gjithë kohës, trajneri e ndoqi ndeshjen në këmbë. Ai lëvizte vetëm brenda kuadratit të tij, në varësi të lojës.

* Duke parë se loja nuk po jepte frytet e veta, u detyrua disa herë të ndërhynte me direktiva. Shpesh edhe u jepte zemër lojtarëve, duke i duartrokitur, gjë që e bëri disa herë gjatë gjithë sfidës së djeshme.

* Nuk e “harron” lehtë topin, pasi në një rast futet në fushë për ta nxjerrë jashtë dhe, më pas, me duar kur shkon në pankinën e tij. Këto episode ndodhën kur Shqipëria nuk e kishte zhbllokuar ende rezultatin.

* Pothuajse në asnjë moment nuk lëvizi nga vendi kur lojtarët tanë kishin raste për të shënuar dhe rrezikuan portën kundërshtare, edhe pse pankina me tifozët vinin duart në kokë.

* Roshi me Abrashin ishin futbollistët, të cilëve iu drejtua më shumë për t’i këshilluar. Madje, në një moment pushimi, e thërret Abrashin drejt pankinës për t’i dhënë direktivat nga afër.

* Në minutën e 22-të ishte rasti i parë që kundërshtoi vendimin e arbitrit, për një faull pranë zonës kundërshtare që nuk u dha në favor kuqezinjve. Më pas, deri në fund pranoi çdo vendim të gjyqtarëve.

* Në të 34-ën, kur pa se tanët nuk po gjenin dot rrugën e rrjetës, thërriti me zë të lartë te lojtarët: “Dai, dai!”, duke kërkuar që t’i mbajë në tonus futbollistët dhe të mos dorëzoheshin.

* Në dy raste që kapiteni Agolli shkoi të krosojë nga këndi, Panuçi shprehu pakënaqësinë e tij për shkak të mosekzekutimit si duhet. Deri në fund të ndeshjes, kapitenit iu hoq e drejta për të ekzekutuar.

* Nuk i lëviz as qerpiku te goli i Odise Roshit. Pankina dhe lojtarët në festë, Panuçi ruan qetësinë. Gjithsesi, kur lojtarët parakalojnë para tij, u jep dorën. Te goli i Agollit del nga vetja dhe gëzon me duar. Çlirimi erdhi vetëm pas golit të sigurisë.

* Panuçi i beson shumë intuitës së tij dhe, pothuajse në asnjë moment, nuk kthehet nga pankina. Përjashto ndonjë rast të veçantë gjatë ndeshjes kur do të bënte zëvendësimet dhe thërriste ndihmësit.

* Nuk harron të përqafojë Ahmedin, kur e fut në lojë në minutën e 86-të, ndërkohë që të gjithë lojtarëve të zëvendësuar u dha dorën.

* Me vërshëllimin e gjyqtarit për të sinjalizuar përfundimin e ndeshjes, nuk ngurron t’i takojë të gjithë në pankinë. /Panorama/
Shtuar më 04/09/2017, ora 13:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori