Pacolli letër Ramës: Ja si ta veshim Januzajn kuqezi
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, në cilësi private, i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama në lidhje me përfshirjen e mundshme të Adnan Januzajt në Kombëtaren e Shqipërisë. Pacolli, i cili ka ndjekur gjithçka është shkruar dhe është thënë rreth Januzajt, intervistat e tij dhe të babait, si dhe fushatën në Facebook, i parashtron kryeministrit të Shqipërisë efektet e mundshme të përfshirjes së Januzajt me fanellën kuqezi dhe që e bëjnë operacionin Januzaj, jo operacion federatash, por një aksion kombëtar!

"Do të krijohet një model i ndritshëm për rininë, do përshpejtohet zhvillimi i sportit, do joshen talente të tjera në botë, imazhi i vendit dhe i kombit do përmirësohet ndjeshëm", thotë Pacolli në letrën e tij drejtuar Ramës, përmbajtjen e së cilës e zbuloi disi Arian Çani në emisionin e djeshëm "Zonë e Lirë".

Ndaj Januzajt dhe familjes së tij, thotë Pacolli, duhet një qasje tërësore, pra jo vetëm profesionale të cilën e ofron federata dhe trajneri.

Propozimi i tij ka këto pika: Federatë mbarëkombëtare futbolli; delegacion mbarëkombëtar te familjarët e Adnanit në Angli për ta bindur; shtetësi shqiptare për të afërmit e Januzajt dhe dhuratë familjes një hapësirë toke në Jug për investim – këto janë pikat kryesore të projektit "Pacolli" për Januzajn.

Në veçanti zoti Pacolli ilustron pikën e fundit të propozimit të tij, i cili ngjan si ofertë materiale, por në fakt është një operacion imazhi për të nxitur turizmin britanik dhe botëror në Shqipëri, në veçanti atë elitar. Ai ka shprehur dhe gatishmërinë e tij dhe të fondacionit që drejton për ta bërë të mundshëm operacionin Januzaj.

"Le ta shndërrojmë këtë talent të madh, në një ikonë të kombit që do të shërbente për ringjalljen e tij shpirtërore. Unë kam besim se, nëse i qasemi drejt Adnan Januzajt, ai mund ta luajë këtë rol në mënyrë historike", – shkruan në fund të letrës së tij Pacolli, i cili thotë se i drejtohet Ramës jo vetëm për rolin institucional, por dhe për vizionin shprehur në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës. /albeu.com/


Shtuar më 02/11/2013, ora 10:59
Macukulli
e Martë 5 Nëntor 2013, Ora 23:07
Kjo me duket gjeja me pa lidhje nje kryeminister ti lutet nje kombasit te tije te luaj per Shqiperine. Njerezit me dinjitet do te dine ke te zgjedhin dhe nese Januzaj eshte nje i tille nuk do kete nevoje ta lusem po do vjere ne kohen e duhur.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori