Kaçe zgjedh Shqipërinë, "tërbohen" grekët
Mediat greke i kanë bërë jehonë lajmit që mesfushori i talentuar i PAOK-ut, Ergys Kaçe, në vend të Kombëtares helene zgjodhi Shqipërinë. Gazetat dhe uebsajtet greke i janë referuar të përditshmes sportive në Shqipëri, "Panorama Sport". Kaçe konsiderohet si një mesfushor me të ardhme dhe si pasardhësi i denjë i ishkapitenit Altin Lala, kjo më së shumti nisur nga fiziku dhe roli në të cilin ai luan në fushën e lojës. Mesfushori pritet të jetë pjesë e Kombëtares kuqezi që në ndeshjen e 7 qershorit ndaj Norvegjisë.

Pak ditë më parë ai u pajis me pasaportë greke dhe kësisoj u mendua se do të zgjidhte të luante për helenët, nisur edhe nga fakti që trajneri portugez i Greqisë, Fernando Santos, ka qenë i interesuar për ta pasur në skuadër. Megjithatë, insistimi i trajnerit të Kombëtares, Gianni De Biasi, dhe menaxherit të kuqezinjve, Alban Bushi, bëri që Kaçe të zgjidhte përfundimisht Shqipërinë, si Kombëtaren ku do të militonte.

Lojtari ka lindur në Korçë dhe në moshën 3-vjeçare është larguar drejt Selanikut. Kaçe është rritur në akademinë e klubit të PAOK-ut dhe u afrua në ekipin e parë selanikas nga trajneri Jorgo Donis.

Në sezonin e fundit 20-vjeçari ka qenë titullar i padiskutueshëm në skuadrën bardhezi të Selanikut. Madje, ai shënoi edhe një supergol në fitoren 4-2 ndaj Panionios. /albeu.com/


Shtuar më 21/05/2013, ora 14:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori