Kombëtarja, rikthehet makthi i së kaluarës
Pyetjet masive të shqiptarëve pas humbjes së djeshme ishin: Pse s’kemi fat asnjëherë? Pse gjithnjë kështu? Pse s’u bë goli i Salihit...Zakonisht përgjigjet më të mira dhe më të qëndrueshme vijnë pasi të ftohen "gjakrat" dhe njerëzit të flasin me mendje dhe jo me zemër. Shqipëria dje tregoi karakter, sidomos në pjesën e dytë, tregoi bollëk, sepse nuk është e lehtë të luash pa Mavrajn, Mehën, Kukelin dhe Dallkun, por tregoi edhe dobësi. Shqipëria nuk është ende skuadra që të marrë atë që do kur ka presion mbi vete.

Sa herë na është dashur të bëjmë hapin cilësor kemi dështuar. Kur ndodh njëherë është fat dhe rastësi, por kur ndodh sistematikisht, atëherë është çështje mentaliteti dhe filozofie.

Teorikisht Shqipëria dje ishte favorite, sepse luante në një stadium kuqezi, luante për dy rezultate dhe çdo minutë që kalonte, ishte në avantazhin e saj, për aq kohë sa rezultati ishte 0-0. Por, nuk ia dolëm dot, ndoshta sepse nuk jemi mësuar të fluturojmë lart deri në fund, ose ndoshta sepse ndjenja e inferioritetit nuk na lejon të jemi gjakftohtë dhe cinikë për të marrë atë që duam edhe në ndeshje vendimtare.

I vetmi ndryshim është se Shqipëria ka ende 3 ndeshje për të bërë diçka ndryshe. Nëse nuk e bën, rrezikojmë të kthehemi në pikën zero…/albeu.com/



Shtuar më 07/09/2013, ora 13:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori