Kombëtarja shqiptare mund të hedhë një "bombë" në pankinën e Turqisë
Pëlqej
Shqipëria mund të jetë vendimtare në largimin e Mirçea Luçeskut nga përfaqësuesja e Turqisë. Nëse humbet përballë kuqezinjve, në miqësoren e kësaj të hëne, trajneri rumun do të shkarkohej nga detyra. Largimi mund të ndodhë edhe në rast se përballja në Antalia përfundon në barazim dhe skuadra turke nuk do të bindte me lojën që do të paraqitë.

I emëruar në në krye të Turqisë vetëm në muajin gusht, ecuria e skuadrës me Luçeskun ka qenë larg pritshmërive. Vetëm një fitore në pesë ndeshje, ajo në duelin e luajtur me Kroacinë në grupin kualifikues të Kupës së Botës, por që nuk i shërbeu në rrugën drejt Rusi 2018.

Humbja në shtëpi me Islandën dhe barazimi në Finlandë bën që Turqia ta mbyllte grupin në vendin e katërt. Disfata e fundit në miqësoren me Rumaninë, e ka vendosur Luçeskun në pozita mjaft të vështira.

Mediat kërkojnë shkarkimin e trajnerit, ashtu si edhe një prej emrave më të mëdhenj të futbollit turk, si Nihat Kahveci. Edhe drejtuesit e federatës kanë ndryshuar qëndrim rreth Luçeskut, pas deklaratave të këtij të fundit se nuk i duhet të mësojë gjuhën turke për të jetuar, apo polemikat e vazhdueshme se nuk ka të rinj cilësorë për të ardhmen, pasi në Superligë luajnë shumë lojtarë të huaj.

Një rezultat negativ i Turqisë përballë Shqipërisë së Panuçit do ti vendoste kapak problemeve në drejtimin e skuadrës, me largimin e Mirçea Luçeskut që do të ishte i pashmangshëm. /Albeu.com/
Shtuar më 11/11/2017, ora 13:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori