Kosta Rika kërkon një miqësore në mars me Kombëtaren
Përfaqësuesja shqiptare e futbollit vazhdon të jetë në kërkim të një miqësoreje për ndeshjet e marsit, kur janë datat e lira nga FIFA.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Reja kanë gjetur një të tillë, pasi do të luajnë më 30 mars ndaj Sllovenisë në Itali, por kërkohet një tjetër ndeshje në këtë muaj, pasi tekniku do të shohë në veprim sa më shumë futbollistë për projektin e ri që po nis.

Nëse me Slloveninë ndeshja do të luhet në Itali, sfida tjetër mund të luhet në Spanjë.

Kjo, pasi Shqipërisë i është bërë një ofertë për të luajtur në këtë vend nga një përfaqësuese e një shteti të Amerikës Qendrore që do të zhvendoset për të luajtur në Europë në mars.

Sipas "VIP Sport", FSHF është kontaktuar nga Federata e Kosta Rikës, e cila dëshiron të zhvillojë dy miqësore në muajin mars dhe nuk ka gjetur ende kundërshtarët.

Ajo është e gatshme që të luajë dy ndeshjet në Spanjë dhe një nga vendet e kontaktuar me të cilat ka pasur bisedime shumë konkrete është Shqipëria.

Përfaqësuesja në fjalë është e 48-ta në botë dhe ka lënë shenjë duke marrë pjesë në dy Kupat e Botës të fundit, duke pasur në përbërje lojtarë si Kejlor Navas apo Brajan Ruiz.

Mbetet të shihet nëse do të realizohet edhe kjo marrëveshje, pasi Kosta Rika po diskuton paralelisht edhe me vende të tjera.
Shtuar më 21/01/2020, ora 10:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori