Kukeli: Start i furishëm, por duhet të mposhtim edhe Serbinë
Pëlqej
Burim Kukeli e dinte fare mirë që pas dëmtimit të rëndë të pësuar para një viti e gjysmë duhej të kthehej edhe më i fortë për të qenë ende pjesë e ekipit bazë të Zurich dhe Kombëtares së Shqipërisë.

Në shkurt të vitit 2013 mesfushori theu këmbën gjatë një ndeshjeje miqësore ndaj Belizonës dhe në ato kohë u mundua edhe tërheqja nga futbolli. Shumë persona, përfshi edhe vetë lojtarin, menduan se ky ishte fundi i karrierës futbollistike.

Vuajtjeve të gjata, 30-vjeçari u dha fund më 20 korrik, kur zhvilloi ndeshjen e parë me Zyrihun në fitoren 1-0 kundër Grasshopersit në kampionat.

DEKLARATA - "Kam vuajtur tmerrësisht shumë për një vit e gjysmë. Kam kaluar një kohë tejet të vështirë, por gjithmonë kam besuar se do të kthehem në fushë. E kam ditur se po të kthehem, do të isha edhe më i fortë se më parë. Para se të operohesha kisha dyshimet e mia dhe pata menduar edhe fundin e karrierës, por, pas operimit besimi m’u shtua. Kam luftuar shumë që të kthehem më i fortë. Jam stërvitur maksimalisht dhe tani jam shumë mirë, pa ndonjë problem. Kam pasur thyerje të dy eshtrave të këmbës së djathtë dhe rikuperimi ishte tejet i vështirë dhe i lodhshëm. Gjithsesi, ia dola dhe nuk di se si t’i përshkruaj emocionet që kam pasur kur u ktheva në ekipin e Zyrihut. Jam përgatitur maksimalisht dhe tani i kam luajtur të gjitha ndeshjet", ka thënë Kukeli për "Koha Ditore".

PORTUGALIA - Sa i përket ndeshjes me Portugalinë, Kukeli thekson se nuk e di se si ekipi e gjeti forcën për ta mposhtur një Portugali me lojtarë të mëdhenj.

"Ishte një fitore e madhe! Portugalia është një përfaqësuese me shumë lojtarë të mëdhenj në klube të mëdha europiane. Por ne ishim kompaktë dhe e dinim se vetëm me lojë kolektive dhe me zemër mund ta mposhtim Portugalinë. Këtë arritëm ta bëjmë. Kemi luftuar të gjithë, por tani duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të luajmë në ndeshjet e tjera si kundër Portugalisë", ka thënë Kukeli.

SERBIA- Në ndeshjen e dytë kualifikuese Shqipëria do të presë në stadiumin e Elbasanit Danimarkën, më 11 tetor, ndërsa tri ditë më vonë do të jetë mysafire e serbëve në Beograd.

"Paraqitja jonë kundër Portugalisë ishte e mirë, por të gjithë ne e dimë se mundemi të luajmë edhe më mirë. Duhet të luajmë për fitore edhe kundër Danimarkës dhe Serbisë për të dëshmuar se nuk ka qenë e rastësishme fitorja ndaj Portugalisë. Por të mos harrojmë se kemi një grup të vështirë. Është më i vështirë se ai që e kishim në Botëror. Motivi është rritur pas fitores ndaj Portugalisë. Është një start i furishëm. Për ndeshjen kundër Portugalisë na kanë munguar edhe shumë lojtarë që janë të rëndësishëm për ekipin. Çdo lojtar është i mirëpritur në ekipin kombëtar, pasi sa më shumë të ketë kualitet, aq më lart mund të shkojmë. Na duhet ende punë për të bërë që ta njohim edhe më mirë njëri-tjetrin", është shprehur mesfushori i Kombëtares shqiptare Burim Kukeli. /albeu.com/





Shtuar më 13/09/2014, ora 11:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori