Ledian Memushaj, tjetër gol me Pescaran (VIDEO)
Është Ledian Memushaj futbollisti që po përpiqet të udhëheqë Pescarën drejt një ngjitjeje të mundshme të Serie A. Mesfushori i Kombëtares shqiptare realizoi një tjetër gol me fanellën e skuadrës bardhekaltër në Serie B italiane edhe pse këtë herë finalizimi i tij nuk vlejti pasi Pescara u mposht me rezultatin 3-2 nga Brescia në stadiumin "Adriatico".

Ishte minuta e 4-t e ndeshjes kur Memushaj u gjend në kohën dhe në vendin e duhur për të dërguar në rrjetë një top të marrë nga Politano. Goli i futbollistit vlonjat i dha avantazhin provizor Pescarës 1-0, por edhe pse Ledian Memushaj zhvilloi një ndeshje më shumë sesa pozitive formacioni i drejtuar nga trajneri Baroni u mund nga Brescia që falë një tregolëshi të Daniele Corvias arriti të përmbyste në dy raste avantazhin e Pescarës fillimisht të vendosur nga Memushaj dhe më pas nga islandezi Bjarnarson.

Mesfushori i Kombëtares Kuqezi edhe në këtë sfidë mbajti në krah shiritin e kapitenit, ndërkohë që ky ishte goli i tretë për Memushajn me Pescaran në Serie B.

Skuadra bardhekaltër pas kësaj humbjeje e sheh veten në vendin e 9-të dhe jashtë zonës Play-Off por Livorno që e pozicionohet në vendin e 8-të ka vetëm 2 pikë më shumë dhe Pescara ka të gjithë shanset për të luftuar deri në fund që sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e Serie A. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2015, ora 12:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori