Lista e golashënuesve më të mirë në historinë e Kombëtares, kreu është afër
Pëlqej
Odise Roshi nuk është i vetmi, por është njëri nga lojtarët që u ka mbijetuar largimeve të shumta dhe revolucioneve që kanë përfshirë Kombëtaren shqiptare. Është vetëm 26 vjeç, por mund të quhet pa frikë një nga senatorët e Shqipërisë sepse është pjesë e saj prej gjashtë vitesh.

U stërvit nga Kuzhe, i cili i besoi shumë djaloshit fierak, pastaj me De Biazin pati ulje-ngritjet e tij, ndërsa me Panuçin në dy ndeshje ka shënuar po kaq gola. Jo keq për një lojtar që luan si mesfushor i djathtë dhe i afrohet rrallëherë zonës. Objektivi i tij është të japë sa më shumë asiste, por golat e ndihmojnë atë për të gjetur vazhdimësinë, por mbi të gjitha Kombëtaren për të marrë rezultatet.

BARAZON LEGJENDAT

Me dy golat e shënuar (një me Lihtenshtejnin dhe një me Maqedoninë), Roshi arriti në kuotën e katër golave, raporton Panorama. Po aq, sa në të kaluarën i kanë shënuar lojtarë me emër dhe shumë të mëdhenj për futbollin shqiptar: Panajot Pano dhe Edvin Murati. Me katër gola, po ashtu ndodhet i 17-ti në renditjen e përgjithshme të historisë edhe Pal Marashi. Objektivi i radhës për Roshin është barazimi i Rudi Vatës dhe Ilir Përnaskës, të cilët kanë 5 gola me fanellën e përfaqësueses.

DUEL MIQSH

Mirëpo, nëse Roshi do të shënojë 5 gola, atëherë do të bëhet lojtari i dytë me më shumë golashënuar nga ata që janë aktualisht në Kombëtare. Për momentin, ai ka po aq gola sa miku i tij Bekim Balaj dhe sulmuesi Edgar Çani. Ndaj Spanjës, Roshi nuk do të mund të luajë për shkak të kartonëve të verdhë dhe humbet shansin që në ndeshjen e ardhshme të kalojë mikun e tij.

Sigurisht që ky nuk është objektivi kryesor i Roshit, por për një futbollist golat janë gjithmonë të rëndësishëm. Duelet në futboll janë gjithmonë të bukura, sidomos kur ato bëhen mes miqve. E sigurt është që nëse Balaj do të shënojë me Spanjën, Roshi do të gëzohet sikur të kishte shënuar vetë.
Shtuar më 11/09/2017, ora 16:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori