Ljubijankiç: Duam fitore ndaj Shqipërisë
Trajneri i kombëtares së Sllovenisë, Srecko Katanec rikthen në grupin e tij një nga sulmuesit me më shumë eksperiencë duke kërkuar t’i japë më shumë fuqi repartit ofensiv. Ai është bomberi i skuadrës japoneze, Omiya Ardija, Zlatan Ljubijankiç, i cili nuk ka marrë parasysh mijëra kilometrat e udhëtimit nga Japonia në Europë për t’i dhënë një dorë ekipit slloven që gjendet në pozita delikate për eliminatoret e Botërorit 2014.

Në një intervistë për mediat vendase, ai e pranon se do të jetë shumë e vështirë që Sllovenia të sigurojë 4 fitore në po kaq ndeshje.

"Deri në fundin e ndeshjeve eliminatore do të luajmë edhe 4 ndeshje ku duhet t’i fitojmë të gjitha për të ëndërruar finalet e botërorit. Gjithsesi, jemi të vetëdijshëm që edhe pikët e plota mund të mos mjaftojnë. Jemi shumë të përqëndruar për ndeshjet e radhës me Shqipërinë dhe Qipron. Ndeshja e së premtes është jetike. E dimë se kemi mjaftueshëm cilësi në grup për të marrë 3 pikëshin. Nëse luajmë ashtu siç dimë, mendoj se mund t’ia dalim mbanë”.

Në vijim, 29-vjeçari shton se Shqipëria është një kundërshtar që e njeh mirë, duke sjellë në kujtim miqësoren e fundit në Tiranë por edhe humbjen në eliminatore.

"Të dyja ishin ndeshje shumë të vështira pasi ata luftonin për çdo top. Gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve në ndeshjen e fundit sepse këtu ndikoi edhe fakti që luajtëm në një fushë shumë të keqe. Por tani ndryshojnë gjërat sepse luajmë në shtëpinë tonë dhe në një fushë shumë herë më të mirë. Kjo është në avantazhin tonë", vijoi sulmuesi slloven.

Shqipëria mban vendin e dytë të Grupit E dhe në këndvështrimin e sulmuesit slloven, kuqezinjtë nuk janë aspak një surprizë.

"Shqipëria është një skuadër shumë cilësore, gjithsesi unë mendoj se ne jemi me lart. Dua të ritheksoj se kemi një grup më cilësor dhe këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Une kam shumë besim në kapacitetet tona pasi në të shkuarën kemi kaluar kundërshtarë edhe më të vështirë", është shprehur Ljubijankiç.

Në fund, Ljubijankiç nuk u premton tifozëve fitore por siguron se Sllovenia do të luftojë deri në sekondën e fundit për të siguruar suksesin nga ndeshja e stadiumit "Sportni Park Stozice". /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2013, ora 18:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori