"Luftë" Suedi-Shqipëri për Loret Sadikun
Shokon Loret Sadiku. Mbrojtësi kosovar nuk është plotësisht i vendosur nëse do t’i bashkohet Kombëtares së Shqipërisë. Lajmin e ka konfirmuar vetë futbollisti gjatë një komunikimi me të përditshmen kosovare "Koha Ditore". 21-vjeçari, që së bashku me Ardian Gashin luan për Helsingborg në Suedi, rreth një muaj më parë nisi kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit. Një javë më parë, ai u deklarua se ka vendosur që të luajë për Shqipërinë dhe se për këtë po pret vetëm kompletimin e dokumentacionit.

Por të mërkurën, pra dje, për gazetën ka thënë ndryshe. Sadiku pohon se i duhet ende kohë për t’u menduar.

"Nuk do të luaj për Shqipërinë kundër Norvegjisë. Dua që për këtë çështje të flas me babanë e nënën e të mendohem edhe pak. Nuk kam vendosur përfundimisht, më duhet kohë për t’u menduar", ka thënë Sadiku.

Në fakt, ajo çka e ka vënë në mendime lojtarin ka qenë një intervistë që vetë ai e ka dhënë një ditë më parë në mediat suedeze (aftonbladet.se), ku ai pohonte se ishte i lumtur që do luante për ngjyrat e Kombëtares shqiptare. "U tregova i sinqertë me trajnerin e U- 21 të Suedisë. E di që edhe Suedia ishte një mundësi, por nuk e di si mund të shkojë për mua. Unë jam i huaj këtu. Vendi im është Shqipëria, ndaj jam i lumtur dhe krenar për ftesën që më ka bërë Federata shqiptare. Sigurisht që shanset janë më të mëdha për mua të luaj te Shqipëria, por zgjedhja ka dhe një faktor emocional. Kam gjak shqiptar, zemër shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim që dua të luaj për Kombëtaren. Miqtë e mi shqiptarë më thanë të shkoja menjëherë, edhe unë kështu mendova. Por tani, pas problemeve me procedurat, kam kohë deri në sfidën me Slloveninë në shtator për ta biseduar me prindërit. Kualifikimi në Botëror? Asgjë nuk është e pamundur, edhe pse do të jetë shumë e vështirë", theksonte Sadiku.

Direkt pas kësaj interviste, Federata suedeze është vënë në lëvizje, duke e kontaktuar lojtarin dhe natyrisht duke e joshur që ai të zgjedhë pikërisht Kombëtaren nordike në vend të Shqipërisë. Kaq ka mjaftuar që 21-vjeçari të dyzohet, duke pohuar disa orë më vonë për mediat kosovare se nuk ishte plotësisht i vendosur se me cilën kombëtare do të luante.

Kujtojmë që mbrojtësi ka luajtur edhe tri ndeshje me U-21 të Suedisë. /albeu.com/

Shtuar më 23/05/2013, ora 17:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori