Mavraj: Ndeshja me Serbinë, përgjegjësi kombëtare
Mërgim Mavraj i është bashkuar Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e radhës, kundër Danimarkës dhe Serbisë, pa luajtur ende asnjë minutë me skuadrën e Këlnit në Bundesligë. Por, ai nuk shqetësohet, pasi sapo ka mbërritur në Shqipëri, thotë se ka gjetur qetësi.

"Tani jam në Kombëtare dhe shpirti gjen qetësi këtu", deklaron ndër të tjera Mavraj për gazetën kosovare "Koha Ditore".

Ai ende nuk ka debutuar për klubin e tij Koln në Bundesligë, në një kohë që janë luajtur shtatë javë. Por, ai vazhdon të konsiderohet shtyllë e mbrojtjes së Shqipërisë.

Mavraj ka folur edhe për dy ndeshjet që Kombëtarja do të zhvillojë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian "France 2016". Shqipëria do të luajë të shtunën në Elbasan ndaj Danimarkës dhe tri ditë më pas në Serbi ndaj përfaqësueses vendëse.

"Mbi të gjitha, janë dy ndeshje që ne synojmë t’i fitojmë dhe që do të na ndihmonin shumë për të ruajtur situatën e mirë në klasifikim. Gjithsesi, e dimë se çfarë përgjegjësie kemi për kombin tonë në ndeshjen e dytë, kundër Serbisë", thekson Mavraj duke i vënë theks të veçantë ndeshjes me Serbinë.

"Ne do të futemi në fushë për ta bërë krenar popullin tonë e jo të dëgjojmë përralla nga kundërshtarët", vijon kosovari.

Mavraj, në maj të vitit 2012, pranoi të luajë për Shqipërinë. Që nga ajo kohë, ai ka shënuar një gol në 18 ndeshje me fanellën kuqezi. Mavraj 28-vjeçar e vlerëson shumë përfaqësuesen e Danimarkës.

"Janë një skuadër e fortë, me mentalitetin e duhur për të arritur suksesin. Ekipi më i fortë do të fitojë. Serbia është larg dhe fokusi ynë është te ndeshja e parë", thotë Mavraj.

Shqipëria së bashku me Danimarkën, Serbinë, Portugalinë e Armeninë bëjnë pjesë në Grupin I të eliminatoreve. Shqipëria fitoi ndeshjen e parë 1-0 ndaj Portugalisë në transfertë. Pas kësaj fitoreje, Mavraj thotë se është rritur shumë besimi.

"Për ne, fitorja ndaj Portugalisë ka qenë një gjë shumë e madhe dhe kemi treguar se kemi arritur në një nivel shumë të mirë, por në tabelë kemi vetëm tri pikë dhe asgjë nuk është vendosur. Kemi shumë ndeshje para, por nëse tregojmë një performancë të mirë si kundër Portugalisë, mund të fitojmë ndaj çdo ekipi të grupit. Por, jemi të vetëdijshëm se nëse vetëm 2% na mungon nga ajo çfarë kemi bërë në Portugali, do ta pësojmë në çdo ndeshje. Ne kemi fituar vetëbesim, por duhet të vazhdojmë të punojmë vazhdimisht", përfundon deklaratën e tij Mërgim Mavraj. /albeu.com/
Shtuar më 09/10/2014, ora 14:12
Defacto
e Enjte 9 Tetor 2014, Ora 16:17
Danezet jane te mire, por edhe tanet. Kam pershtypje se do te arijme fitore. Sukses.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori