Meha: Gjuaj si Juninho, ja batutat me Canën
Është bërë zakon tashmë që sapo prek topin Alban Meha, tifozët thërrasin në kor "gjuaje, gjuaje", pavarësisht pozicionit që ai ndodhet në fushë. Goditjet nga distanca janë një ndër pikat e forta të mesfushorit të kombëtares dhe këtë e vërtetoi edhe një herë me supergolin e djeshëm ndaj Maltës.

27-vjeçari nga Mitrovica, në një intervistë për Panorama Sport pas ndeshjes tregon detaje nga takimi. Ndër të tjera, lojtari i Paderbornit në Bundesligën II flet për komplimentet e shumta që mori pas shënimit të golit, si dhe karrierën e tij tani e tutje.

"Ndihem mjaft mirë. Për mua është shumë e rëndësishme që me golat e mi jo vetëm të ndihmoj ekipin, por edhe të kënaq tifozët. Kisha besim që do ta realizoja një gol të tillë edhe në ndeshjen e djeshme dhe fatmirësisht ia arrita. Unë stërvitem shumë me goditjet nga largësia dhe me shumë punë kam arritur të përmirësohem vazhdimisht. Më pëlqen të godas nga distanca, kështu që nuk mendohem gjatë kur më jepet mundësia", shprehet Meha.

Çfarë thanë shokët e skuadrës - "Normale mora komplimente prej të gjithëve. Jo vetëm lojtarët, por edhe trajneri De Biasi dhe pjesëtarët e stafit më komplimentuan për golin. Mund të veçoj komplimentin e kapitenit Cana. Më tha që je i prerë për supergola dhe se dy golat më të bukur në karrierë, sipas tij, i kam shënuar në kombëtare".

Ngjason me Pirlon apo Juninhon - "Mendoj se po e teproni pak me krahasimet, gjithsesi po përgjigjem: Për nga mënyra sesi e godas topin, mendoj se kam më shumë ngjashmëri me Juninhon".

Kujt ia dedikon golin - "Familjes sime në radhë të parë. Pa dyshim edhe tifozëve të kombëtares, të cilët gjithmonë janë treguar shumë dashamirës ndaj meje. Edhe sot e treguan se janë një forcë shumë e madhe e këtij ekipi, ndaj i falënderoj shumë për gjithë mbështetjen që më kanë dhënë". /albeu.com/










Shtuar më 06/03/2014, ora 13:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori