Meha mungon 8 javë, De Biasi: Humbje e madhe
Pëlqej
Mesfushori i Shqipërisë, Alban Meha, pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën tetë javë pas dëmtimit të meniskut të këmbës së djathtë dy ditë më parë. Uebfaqja zyrtare e Paderbornit, të enjten, ka njoftuar se Meha patjetër duhet t’i nënshtrohet operimit të meniskut, të cilin do ta kryejë gjatë javës së ardhshme në Augsburg.

"Në bazë të perspektivës që po e shohim dhe operimit të Mehës, ai do të mungojë të paktën për tetë javë", thuhet në njoftimin e skuadrës gjermane të premten.

Paderborni, në edicionin 2014-’15, do të garojë në Bundesligë dhe Meha nuk do të jetë në gjendje të luajë në javët e para. 26- vjeçari ka kontratë me Paderbornin deri në vitin 2015 dhe ishte ndër me të merituarit që e inkuadroi Paderbornin në elitën e futbollit gjerman nga Bundesliga II.

Edicionin e shkuar ai shënoi 12 gola në 25 ndeshje të zhvilluara në Bundesligën 2. Viteve të fundit mesfushori i Shqipërisë është përballur me një seri dëmtimesh që e kanë mbajtur për një kohë të mirë jashtë fushës së futbollit. Edhe edicionin e shkuar ishte i lënduar dhe vetëm në fund u kthye në formë. Paderborni ndeshjen e parë në Bundesligë do ta luajë kundër skuadrës së Mainzit (24 gusht).

"Shpresojmë që Meha të rikthehet sa më shpejt dhe të jetë i gatshëm. Mungesa e tij është shumë e madhe për ekipin tonë, pasi Meha është ndër lojtarët kryesorë të ekipit", ka thënë trajneri i Paderbornit, Andre Breitenreiter.


Trajneri Gianni De Biasi deklaroi për "Panorama Sport" se Meha është një humbje e madhe për ndeshjen e parë kundër Portugalisë në transfertë më 7 shtator dhe se është i shqetësuar për gjendjen e repartit të mesfushës.

"U përpoqa të flas vetë me Albanin, por ishte e pamundur. Thjesht asistentët e mi kanë diskutuar me përgatitësin atletik të Paderbornit dhe jemi në dijeni të situatës. Jemi të pafat. Kemi humbur të vetmin lojtar në kombëtare që mund të bëjë gol nga 25 metra dhe e kemi humbur para ndeshjes kundër Portugalisë… Më keq nuk mund të bëhej, duke qenë se edhe Rama me Roshin e Bashën nuk po kalojnë momente të mira, por gjithsesi do të përpiqemi të paraqitemi në mënyrë dinjitoze dhe të kompensojmë një mungesë kaq të rëndësishme", deklaroi trajneri italian i kombëtares. /albeu.com/

Shtuar më 01/08/2014, ora 10:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori