Meha rikthehet në stërvitje por mungon në Kombëtare
Pëlqej
Alban Meha më në fund i rikthehet stërvitjes pas dëmtimit që pësoi në gju në fund të korrikut gjatë fazës përgatitore të Paderbornit. Mesfushori 28-vjecari, i cili iu nënshtrua në fillim të gushtit ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të problemeve në menisk, ka nisur stërvitjen e diferencuar duke marrë fillimisht ngarkesë të ulët fizike.

Sipas stafit mjekësor të Paderbornit, riaftësimi i futbollistit të përfaqësueses shqiptar do të jetë gradual, për të mos rrezikuar me rikthimin e parakohëshëm në fushën e blertë.

Meha pritet të stërvitet me ritëm të plotë në fillim të tetorit, por nuk do të grumbullohet për sfidën me Bayer Leverkusen në datën 3 të muajit të ardhshëm. Më pas vjen shkëputja njëjavorë për shkak të angazhimit të kombëtareve në eliminatoret e Euro 2016.

Diçka pozitive për Paderbornin, që i jep më shumë kohë Mehës për të qenë gati, por jo për përfaqësuesen e Shqipërisë, që më 11 dhe 14 tetor do të zhvillojë dy eliminatoret shumë të rëndësishme me Danimarkën në Ruzhdi Bizhuta dhe me Serbinë në transfertë.

Gianni De Biasi e ka të qartë se nuk mund të shpresojë te disponibiliteti i Mehës, por nga ana tjetër mund të rigjejë Valdet Ramën, i cili ka zhvilluar deri tani vetëm një takim me Munchen 1860, por që deri më 11 tetor do të ketë arritur formën e duhur fizike, që i mungoi në përballjen e parë me Portugalinë në transfertë. /albeu.com/
Shtuar më 19/09/2014, ora 13:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori