Mehmeti: Portugalia favorite, por edhe Shqipëria synon "France 2016"
Pëlqej
Sulmuesi shqiptar Agon Mehmeti, i cili ka luajtur sezonin e kaluar me Olhanense në kampionatin portugez, beson se Portugalia është favoritja kryesore për kreun e Grupit I kualifikues të "France 2016".

"Sipas mendimit tim, Portugalia është favorite për të kryesuar grupin. Ajo ka një ekip me cilësi të mëdha dhe shumë lojtarë të mirë. Ka pak dyshime për këtë. Pastaj, ne kemi Serbinë dhe Danimarkën në Grupin I, dy ekipe të tjera të mira", tha Mehmeti për agjensinë e lajmeve, LUSA.

Aktualisht pjesë e Malmo, në Suedi, sulmuesi 24-vjeçar e ka veshur fanellën e ekipit kombëtar shqiptar tri herë që nga viti 2013, pasi ka provuar përfaqësimin ndërkombëtar në nivel të të rinjve me Suedinë, ku jeton që nga mosha dyvjecare.

"Ambicia fillestare e Shqipërisë është vetëm të luajë në Francë, në vitin 2016. Ne e dimë se është shumë e vështirë për shkak se ky bëjmë pjesë në një grup shumë të vështirë dhe të fortë, me disa ekipe të mira. Fakti që vendi i tretë në grup tashmë është i vlefshëm për kualifikim, edhe pse me “play-off”-in përpara, mund të na ndihmojë të kualifikohemi në finalet e Europianit në Francë", vijoi tha ai.

Mehmeti nuk është i ftuar nga Shqipëria për takimin e së dielës në Aveiro, kundër Portugalisë, por kujton paparashikueshmërinë e futbollit. Me këtë do të thotë se Shqipëria ka për t’i luajtur të gjitha shanset e marrjes pjesë për herë të parë në finalet e një Europiani, tashmë me 24 finalistë.

"Ne gjithmonë duhet të besojmë, sepse futbolli është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë. Ka disa vjet kur Shqipëria erdhi në Portugali për të luajtur dhe mori barazimin 0-0. Nëse ekipet e tjera kanë një ditë të keqe, edhe ne kishim një ditë fantastike. Tani për tani kemi një grup lojtarësh të rinj interesantë, rritja e të cilëve mund të na çojë në rezultate të mira", shprehet sulmuesi i Malmos.

Duke parashikuar vizitën e Portugalisë në Shqipëri Agon Mehmeti thotë se i pret një mjedis spektakolar: "Atmosfera do të jetë fantastike në Shqipëri. Ka shumë pasion për futbollin, shumë tifozë besojnë tek kombëtarja dhe sigurisht që do ta mbushin stadiumin për të parë lojtarët e mëdhenj të Portugalisë. Dhe pastaj do të jetë Cristiano Ronaldo, natyrisht", përfundoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2014, ora 16:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori