Merr 136 pikë, Shqipëria mes 50 më të mirave të Botës?
Pëlqej
Fitorja me Portugalinë, me shumë gjasa, do të ngrejë ndjeshëm Shqipërinë në renditjen mujore të FIFA-s. Të paktën për momentin, nga llogaritjet e bëra në faqen zyrtare të qeverisë botërore të futbollit, Kombëtarja kuqezi pritet të marrë 136 pikë më shumë. Kështu, nëse për muajin e shkuar skuadra jonë kishte të grumbulluara 437 pikë dhe mbante vendin e 70-të, pas 0-1 të konsoliduar në Aveiro, skuadra jonë merr 573 pikë duke u ngjitur të paktën mes 50 skuadrave më të mira në botë, shkruan "Panorama-Sport".

Nisur nga llogaritjet, parashikohet që Shqipëria të jetë mes vendit të 40-të dhe 50-të, kjo natyrisht edhe në raport me pikët që do marrin skuadrat e tjera. Gjithsesi, kjo enigmë do të zgjidhet më 18 shtator kur do të publikohet edhe renditja e re për këtë muaj e FIFA-s, ku do të merren në konsideratë edhe pikët e marra në ndeshjet e shtatorit për kualifikimet e EURO 2016.

Renditja më e mirë e Shqipërisë në FIFA është ajo e korrikut 2013 kur ishim në vend të 37-të. Ndërsa renditja më e keqe ishte në gusht të 1997-s, teksa zinim vendin e 124-t në botë.

Gjatë këtij viti skuadra jonë ka qenë kryesisht mes vendeve 50- 70-të, kjo edhe për shkak të mbylljes shumë të keqe që i bëmë kualifikimeve për Botërorin "Brazil 2014". /albeu.com/



Shtuar më 12/09/2014, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori