Ndahet nga jeta ish trajneri i Kombëtares
Është ndarë nga jeta, në moshën 88-vjeçare, ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit dhe një prej figurave më të njohura të trajningut shqiptar, Prof.Dr. Zyber Konçi.

Ai ishte trajneri i parë që drejtoi Shqipërinë në një fushatë eliminatore ato të Euro 1964, ku arriti dhe suksesin e parë historik të kuqezinjve 1-0 ndaj Danimarkës në Tiranë. Konci e drejtoi Kombëtaren në dy periudha të ndryshme Tetor 1963-Maj 1965 dhe nga Shtatori e deri në Dhjetor të 1980, raporton Supersport.

I shkolluar në një prej akademive më të mira të Botës në Çekosllovaki, ai injektoi në Shqipëri, idetë dhe skemat e trajningut më modern të kohës. Profesor Doktor Zyrber Konci ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në futjen e metodave shkencore në Institutin e Kulturës Fizike dhe Sporteve.

Shkëndija e tij e vitit 1970 mbetet e paharrueshme për rezultatet e saj. Për vdekjen e Zyber Koncit reagoi dhe presidenti i FSHF, Armand Duka që e cilësoi humbjen e tij të trishtueshme për futbollin shqiptar, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të spikatura të këtij sporti në Shqipëri.

Homazhet në nderim të figurës së tij do të mbahen sot nga ora 11:30 - 12:30 në hollin e tribunës qëndrore të stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". /albeu.com/
Shtuar më 20/01/2015, ora 09:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori