Nisin përgatitjet anti-Danimarkë, De Biasi "izolon" skuadrën
Në një ambient të izoluar totalisht, Kombëtarja Shqiptare e futbollit ka zbritur në seancën e parë stërvitore në vigjilje të sfidës ndaj Danimarkës e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016.

Trajneri italian i kuqezinjve, Gianni de Biasi ka pasur të tërë grupin në dispozicion, duke përjashtuar të dëmtuarin Odiese Roshi. Mesfushori i FSV Frankfurt ka qëndruar në Gjermani për t’u rikuperuar nga dëmtimi nën urdhrat e mjekut të skuadrës dhe në varësi të lajmeve që do të vijnë do të vendoset nga stafi i përfaqësueses sonë nëse do të grumbullohet apo jo për ndeshjen me Serbinë.


Në vendgrumbullimin e Kombëtares Shqiptare binte në sy qetësia e madhe, një kërkesë e trajnerit De Biasi për të izoluar skuadrën, gjë që pasqyrohej në vetminë që kishte ekipi në ambientet e kompleksit tropikal.

Seanca e parë stërvitore ka qenë më shumë shkrydhëse dhe në një terren perfekt edhe pse moti ka qenë i lagësht dhe me shi në këtë premierë të kuqezinjve në javën anti Danimarkë.

Me uniformat e reja djemtë e De Biasit i janë nënshtruar menjëherë ushtrimeve sipas programit.

Një tjetër risi e vendosur nga stafi kuqezi, ndoshta dhe për skaramanci nisur nga fitorja në Portugali, ka qenë izolimi total i skuadrës, me median që ka një orar të caktuar për t’u informuar, si dhe minutazhin e reduktuar për të ndjekur seancën stërvitore të ekipit. /albeu.com/
Shtuar më 07/10/2014, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori