Një Shqiponjë në "folenë e Shqiponjave"
Një Shqiponjë në "folenë e shqiponjave kuqezi"… Është kjo ideja e çmendur, por jo edhe aq, që sipas burimeve nga "SportEkspres" pranë FSHF-së është duke u menduar dhe që do të realizohet për sfidën Shqipëri-Zvicër, që do të zhvillohet në tetor. E gjitha kjo, për t’i dhënë ndoshta lamtumirën e duhur këtij impianti, me fluturimin e një shqiponje mbretërore amerikane, e cila është në pronësi të Lazios dhe që është maskota zyrtare e këtij klubi.

Claudio Lotito, presidenti bardhekaltër, në fakt, pagoi plot 7500 euro për ta blerë tek agjencia e kafshëve "Eagle & Victory SRL", pasi kishte parë në stadiumin "Da Luz" të Benfikës dy shqiponjat maskote të ekipit lusitan, të cilat dhuronin një spektakël të jashtëzakonshëm dhe afronin më shumë fëmijët në stadium. Pikërisht ky sondazh i ndjekur nga "Times", ka konfirmuar se tashmë në "Olimpico", fluturimi i shqiponjës bardhekaltër ka afruar shumë fëmijë, rreth 7 mijë më shumë në sezon.

Një ide jo origjinale, por efikase ajo e Lotitos, që duke parë fushatën e abonimeve jo fort të mirë, përpara dy sezonesh vendosi të ndërmerrte këtë nismë interesante, duke mbledhur frytet e duhura.

Shqiponja mbretërore, me kokë të bardhë, ashtu si emblema e flamurit amerikan, quhej "Dulsinea", por tifozët lacialë bënë një sondazh dhe vendosën t’ia vinin emrin "Olimpia", duke iu afruar "Olimpico"-s, stadiumit të Romës. Dhe "Olimpia" ka më shumë se një vit që fluturon në këtë impiant, gjithmonë përpara dhe pas ndeshjeve.

SUPER-KONTRATA – Por, nëse mendoni se Olimpia kushton lirë… atëherë gaboheni. Sepse, një fluturim i saj shkon deri në 5 mijë euro dhe nëpërmjet një përllogaritjeje të kryer, sezoni i shkuar shkoi tek 125 mijë euro, duke përfshirë edhe "Të drejtat e imazhit". Ndeshja e saj e parë ka qenë në 22 shtator 2010, me rasin e sfidës Lazio-Milan. Një spektakël për të gjithë.

USHQIMI SUPER – "Olimpia" është një shqiponjë femër mbretërore dhe e cila mund të rrojë deri në 80 vjeç. Adhuron të qëndrojë në ujë dhe ushqehet vetëm me salmon, pulë, apo mish lepuri. Veç kësaj, është shumë e pastër dhe higjenike. Juan Bernabe është trajnuesi i saj, por është Hoze Maria Bernabe ai që e shoqëron në fushë.

MATJET - Drejtuesit e stadiumit "Qemal Stafa", këto ditë, kanë pasur pikërisht vizitën e njërit prej trajnuesve, që ka matur këndet e posaçme nga mund të lëshohet shqiponja "Olimpia". Sigurisht, ka edhe një muaj kohë deri tek ndeshja e madhe, por studimet dhe matjet kanë nisur që tani, për të mos patur surpriza si ajo që ndodhi në një ndeshje kampionati, kur shqiponja është ngritur në fluturim, por ka ndaluar në tarracën e stadiumit… mes habisë së të gjithë spektatorëve. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2013, ora 18:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori