"Nuk isha në short prej Koronavirusit", Reja komenton grupin në Ligën e Kombeve
Trajneri i Shqipërisë tashmë ka shansin të nisë një edicion nga fillimi.

Në Ligën e Kombeve për sezonin 2020- 2021, trajneri italian do të udhëheqë Shqipërinë në Grupin C4 përballë Bjellorusisë, Lituanisë dhe Kazakistanit.

Pas shortit të hedhur në Amsterdam, trajneri i Kombëtares tregoi për "Panorama Sport" shanset e kuqezinjve në këtë kompeticion, objektivin si dhe shpjegoi se si është ekipi që ai drejton në raport me edicionin e fundit.

Ndër të tjera, trajneri flet edhe për situatën e vështirë që po kalon Italia në lidhje me Koronavirusin, teksa ka shpjeguar edhe arsyen pse mungoi në short.

Sapo është hedhur shorti. Cili është komenti juaj i parë rreth tij?

Në përgjithësi mund të them se është një short i mirë. Sigurisht, skuadrat kanë vlera, por më duhet të nënvizoj se bëhet fjalë për ekipe me të cilat do të na duhet të udhëtojmë shumë për transfertat.

Si është grupi ynë në raport me të tjerët?

Personalisht mendoj se grupi me Greqinë, Kosovën, Slloveninë dhe Moldavinë është më i ashpër. Një grup pak më i fortë. Sa i përket grupit tonë, sigurisht që mund të ketë edhe ndonjë surprizë.

Luajmë ndaj ekipeve për të cilat do të duhet të udhëtohet shumë dhe bëhet fjalë për ndeshje në muajt shtator, tetor dhe nëntor. Sa problem mund të jetë?

Është e vërtetë kjo dhe ky është problemi i vetëm në këtë grup. Uroj dhe do të ishte mirë që në nëntor të kishim dy ndeshje në fushën tonë sesa dy transferta, për shkak edhe të klimës dhe temperaturave të motit. Realisht janë udhëtime të gjata.

Si janë kundërshtarët tanë?

Sigurisht që të tria janë ekipe që meritojnë që t’i kemi në konsideratë. Megjithatë, e përmenda që mund të themi se kemi një short të mirë.

Cili do të jetë objektivi ynë në këtë grup?

Ne do të luajmë për të fituar. Do të luajmë për të dalë të parët. Megjithatë, kjo gjë do të varet edhe nga vlera dhe forma e skuadrave kundërshtare. E përsëris që Bjellorusia, Lituania dhe Kazakistani janë tri skuadra të cilat duhet t’i kemi në konsideratë.

Çfarë duhet të bëjmë për t’ia dalë përballë ekipeve të tilla?

Mbi të gjitha na duhet që të jemi të përqendruar, të fokusuar dhe me mentalitetin e duhur për të fituar. Do të duhet që të bëjmë më të mirën e mundshme nga vetja jonë në secilën nga ndeshjet.

Pse nuk ishit në short?

Jam nisur që të isha i pranishëm, por u anulua fluturimi. Në fakt, shumë fluturime nga Italia nuk janë të mundshme që të kryhen, sepse, ashtu si na shohin ne italianëve tani për shkak të problemit të virusit, na ndalojnë kudo. Kisha bërë të gjitha prenotimet e nevojshme për të fluturuar nga Venecia, por nga atje janë anuluar shumë prej tyre. Madje, ju them se doja të vija edhe javën e shkuar në Shqipëri, por m’u anulua fluturimi nga Trieste.
Shtuar më 04/03/2020, ora 10:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori